Sherri për parkimin, si nisi konflikti me kamerierin që i mori jetën 41-vjeçarit në Sarandë
Një vendparkimi është bërë shkak për një konflikt që përfundoi me vrasjen e një 41-vjeçari në Sarandë.
Ngjarja u regjistrua mbrëmjen e së mërkurës, 17 gusht 2022 brenda ambienteve të hotelit "Conte Monte Cristo", në lagjen numër 1 të qytetit bregdetar.
Mësohet se Klodian Bakia ndërroi jetë pasi u godit me thikë në krahëror nga 24-vjeçari, Xhanelo Tare.
Konflikti mes tyre ka nisur pasi 41-vjeçari nga Tepelena kishte parkuar para lokalit ku punonte si kamarier i riu nga Laçi.
Viktima ka refuzuar kërkesën e 24-vjeçarit për të hequr makinën nga ai vendparkim çka solli fillimisht konfliktin verbal mes tyre dhe më pas atë fizik që përfundoi me përdorimin e armës së ftohtë.
Pas goditjes me mjetin prerës, 41-vjeçari Bakia u transportua në spital por nuk ka mundur tu mbijetojë plagëve të marra.

Rreth orës 23:00 policia njoftoi se ishte arrestuar autori i dyshuar, Xhanelo Tare si dhe në pranga ka përfunduar i vëllai pasi akuzohet se ka qenë bashkëpunëtor në vrasje.
Grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të ngjarjes.
(Lajmi u perditesua)