U sekuestrohen 3 milion euro pasuri vëllezërve Sallaku, të akuzuar për trafik droge

Policia e shtetit sekuestroi pasuri me vlerë 3 milionë euro në pronësi të dy vëllezërve Gëzim dhe Sokol Sallaku të hetuar nga drejtësia italiane për trafik droge. Sipas burimëve sekuestrimi është bërë në bazë të dyshimeve se të ardhurat janë të përfituara në rrugë kriminale. Ndërkohë drejtësia italiane i ka hetuar dy shqiptarët për një rast të trafikimit të një ngarkese me 500 kilogramë kanabis.

Rreth 3 milionë euro pasuri në emër të vëllezërve Gëzim e Sokol Sallaku u sekuestruan nga policia me dyshimin se janë përfituar nga aktiviteti kriminal i trafikut të drogës në Itali.

Policia e Shtetit tha se pasuritë janë në pronësi të 2 vëllezërve Gëzim dhe Sokol Sallaku dhe shtetasit Rabi Kurti.

Vendimi i sekuestros është zyrtarizuar pas hetimeve disa mujore, të cilat arritën në përfundimin se asetet në fjalë janë përfituar në rrugë kriminale.

Mes pronave të sekuestrura janë një kompani e tregtimit të automjeteve në Durrës, dy apartamente në këtë qytet, 20 mijë e 600 metër katrorë tokë dhe 1 mijë metër katrorë truall në Durrës.

Në vazhdim policia sekuestroi edhe dy apartamente të tjera dhe 13 automjete në pronësi të personave në hetim.

Hetimi ka nisur nga njësia për Hetimin e Krimit Ekonomik në Drejtorinë Hetimore në Departamentin e Policisë Kriminale, në bashkëpunim me Prokurorinë e Durrësit, në vitin 2018, duke marrë shkas nga disa transferta të dyshimta bankare të personave nën hetim.

Në vitet 2017-2018 zëvendësprokurori i Brescia-s, Paolo Savio, deklaroi se aktivitetet ekonomike dhe të biznesit të Gëzim Sallakut, i cili është edhe president i Darfo Calcio, dhe pjesës tjetër të familjes, janë minimale në krahasim me ato që fitonin nga trafiku i narkotikëve.

Hetimi ndaj vëllezërve Sallaku lidhej me kapjen e dy shtetasve italianë në nëntor 2017 me 500 kg hashash.

Pronat ne sekuestro preventive

- Sekuestro 100% të aksioneve të shoqërisë “GSA Sallaku” sh.p.k, me aktivitet “Import, eksport, tregti autoveturash, kamionësh etj”, me seli në Durrës, me ortak të vetëm dhe administrator shtetasin Gëzim Sallaku;

- 2 apartamente, në Durrës, në emër të shtetasit Gëzim Sallaku;

- 20.600 m2 sipërfaqe toke arë, në Durrës, në emër të shtetasit Gëzim Sallaku;

- 1000 m2 sipërfaqe toke truall, mbi të cilën janë ndërtuar 2 banesa me sipërfaqe 140 m2 secila, në Durrës, në emër të shtetasit Gëzim Sallaku;

- Një godinë banimi dykatëshe dhe 2 apartamente banimi, në Durrës, në pronësi të shtetasit R. K.;

13 automjete të markave të ndryshme në pronësi të shoqërisë tregtare “GSA Sallaku”.

EMISIONET