Rrugët, 58 viktima në tre muaj

Në Shqipëri ndodhin mesatarishit 3 aksidente në ditë. Me afrimin e pushimeve rritet edhe fluksi i automjeteve, e për pasoje edhe rreziku në rrugë. Ekspertët thonë se ashpërsimi i Kodit Rrugor pritet të shërbejë në sensibilizimin e drejtuesve të automjeteve.

Aksidentet rrugore, si çdo vit në prag të hapjes së sezonit turistik, shtohen ndjeshëm.

Në këtë periudhë, rritet fluksi i qytetarëve që udhëtojnë me automjete drejt destinacioneve të ndryshme për të pushuar.

Vetëm fundjavën që lamë pas u regjistruan një seri aksidentesh me viktima. Shumica e tyre ndodhin në të njëjtat akse.

Sipas ekspertit rrugor, Arben Luzi, përgjegjës janë mungesa e infrastrukturës por edhe vetë drejtuesit e makinave.

Luzi: Ka segmente rrugore të cilat janë vërtet problematike dhe duhet të ndërhyhet. Është prishur infrastruktura rrugore. Dy-tre autostrada që kemi ne në Shqipëri u është prishur gardhi metalik mbrojtës, prishje të asfaltit. Pjesa tjetër është faktori njeri, kryesisht nga drejtuesit e mjeteve që bëjnë shkelje të pësëritura.

Me ndryshimet në Kodin Rrugor parashikohen ndëshkime më të ashpra për shoferët, për të cilën ekspertët thonë se do të shërbejë si sensibilizim për ta.

Luzi: Një nga ndryshimet që vërtet vlen për tu marrë dhe për tu sensibilizuar njerëzit, ashtu si me rripin e sigurimit që policia rrugore u vu dhe ndëshkonte personat që nuk e vendosnin rripin. Tani në masën 90% kjo është bërë edukatë.

Në 3 muajt e parë të këtij viti janë regjistruar 323 aksidente me 58 viktima, ndërsa në fillim të 2020 u shënuan 264 aksidente.

EMISIONET