Rikthehet "Babalja", deputeti i PD-së Ervin Salianji rrezikon burgun, Apeli vendos më 4 korrik

Deputeti, Ervin Salianji, do të përballet sërish me togat e zeza por këte herë në Gjykatën e Apelit pëer çështjen “Babale”. Trupi gjykues i kësaj gjykate do të shqyrtojë të hënën ankimimin që deputeti dhe të pandehurit e tjerë i kanë bërë vendimit të gjykatës së shkallës së parë që i dënoi me burg për akuzën e kallëzimit të rremë ndaj Agron Xhafajt, vëllait të ish-ministrit të brendshëm Fatmir Xhafaj.

Tri vjet nga vendimi i shkallës së parë që e dënoi dhe shpalli fajtor deputetin Ervin Salinjin me 1 vit burg për dosjen "Babalja", çështja do të shqyrtohet edhe në Gjykatën e Apelit.

Trupi gjykues ka vendosur ta zhvillojë seancën e parë në 4 korrik, ora 14:00, por nuk dihet se procesi do të nisë për shkak të grevës së avokatëve.

Në dhjetor të vitit 2019 Gjykata e Shkallës së Parë e shpalli fajtor dhe e dënoi deputetin me 1 vit burg për akuzën e kallëzimit të rremë.

Gjithashtu fajtor u shpall edhe i pandehuri tjetër Albert Veliu, i cili u dënuar me 3.5 vite burg, ndërsa Fredi Alizoti u dënua 2 vite heqje lirie.

Gjykata dënoi me 6 muaj burgim dhe gazetarin Jetmir Olldashi, dënim të cilin ka konvertoi në shërbim prove, duke kryer 100 ore pune në shërbim publik.

Ky vendim është ankimuar nga të pandehurit dhe avokatët e tyre dhe do të shyrtohet në shkallën e dytë të gjyqësorit.

Nëse edhe kjo gjykatë do të lërë në fuqi vendimin e shkallës së parë, atëherë deputeti demokrat rrezikon dënimin me burg.

Çështja "Babale" nisi në vitin 2018 pas një video-përgjimi të publikuar nga selia e PD-së.

Në këtë audiopërgjim shtetasi Albert Veliu, i njohur ndryshe edhe si Babale, pretendonte se fliste me vëllanë e ish-ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj, për çështje që lidheshin me trafikun e drogës në qytetin e Vlorës.

Por sipas organit të akuzës kjo nuk është e vërtetë dhe kërkoi dënimin e publikuesve të këtij audiopërgjimi, dënim të cilin Ervin Salianji dhe kryesia e PD-së e konsiderojnë si politik.

Madje opozita më herët ka akuzuar gjyqtaren Edlira Petri se vepron me urdhër politik pasi bashkëshorti i saj, nënkryetari i Gjykatës së Lartë Sokol Sadushi, është një prej njohjeve më të afërta të Fatmir Xhafaj.

Akuzë kjo që vjen pasi edhe në gjykatë janë duke u shqyrtuar ende çështje të 2017.

Dosja ndaj deputetit demokrat dhe gazetarit Jetmir Olldashi është nxjerrë në një kohë kur pritej edhe rishqyrtimi i çështjeve për shkak se në Apel janë emëruar gjyqtarë të rinj.

Ky nuk është procesi i vetëm i deputetit Ervin Salianji në nëntë vite opozitë. Ai është proceduar më shumë se 600 herë për protestat dhe reagimet ndaj qeverisë.

EMISIONET