Rama me "pushime", opozita në terren
Ndërkohë që mazhoranca ka rënë në heshtje, opozita nuk resht së denoncuari ato që ajo i cilëson si afera dhe skandale të qeverisë “Rama”. Këtë të martë kryeu i Partisë Demokratike Sali Berisha dhe ai i Partisë së Lirisë Ilir Meta u shfaqën në takime të ndryshme, nga ku paralajmëruan ndryshime dhe aksione të forta të opozitës në muajt në vijim.
Opozita nuk ndalet së denoncuari edhe pse jemi ende në sezonin e pushimeve verore.
Nga qyteti i Vlorës, ku zhvilloi një takim me strukturat e Partisë së Lirisë, kryetari i kësaj partie Ilir Meta deklaroi se zgjedhjet e ardhshme parlamentare mund të zhvilllohen para vitit 2025, madje edhe përpara atyre lokale në pranverën e ardhshme.
Meta: Zgjedhjet lokale janë afër, nuk i shtyjmë dot siç i shtymë ato që nuk u regjistrua as Luli, edhe pse mund të ndodhë të mbahen përpara ato të përgjithshmet. Duhet bërë që tani puna dhe oponenca për çështjet lokale sepse nuk ka asnjë përfaqësues opozitar në këshilla.
Ai tha se Rama dhe mazhoranca janë në panik nga aksioni opozitar dhe dëshmi për këtë janë dhe sajesat e tyre me nisma për dosjet dhe non grata.
Meta: Zhvillimet do jenë shumë të forta dhe të shpejta. Duhet të jemi të përgatitur që të mbajmë peshën që na takon në të gjitha këto zhvillime dhe të kemi njerëzit e duhur që i vënë gjoksin gjithë kësaj përballje. Paniku është i qartë nga ana e tyre derisa shpikin dhe budallallëqe për Sekretar partie. Kur i bënte Saliu këta ministra dhe deputetë të PD para 20 vitesh nuk e dinin që Saliu kishte qenë sekretar partie para '90-ës. Tani që i futi ky në këto korrupsionet me incineratorët dhe portin e Durrësit tani e zbuluan dhe do bëjnë budallallëqe të tilla. Janë tregues të panikut dhe faktit që u ka dështuar skema. Ai kishte një skemë: Bli opozitën, bli ndeshjen para se të fillojë takimi dhe çdo gjë tjetër ishte aktrim.
Ndërkohë kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në takimin e mbajtur pasditen e së martës me mësues dhe ekspertë të arsimit parauniversitar, theksoi tendencën në rënie të numrit të nxënësve dhe studentëve nëpër shkolla.
Ai tha se mësuesit e vërtetë po zëvendësohen me militantë partiakë, që në vetvete nuk përcjellin edukimin, por frymën e partisë së tyre.
Berisha: Nga 9 vite më parë, ne numërojmë 208 mijë fëmijë, nxënës, studentë më pak në shkollat tona. Kemi një rrokullisje prej 27%. Dhe ju jeni dëshmitarë të gjendjes reale të nxënësve, gjendjes familjare, mes fshatit dhe qytetit, mes të mëkëmburve dhe të varfërve, kemi një shpërfillje ndaj figurës së misionarit të këtij procesi që është mësuesi. Kemi një ndryshim thelbësor në filozofinë e edukimit. Është i papranueshëm zëvëndësimi i mësuesve të vërtetë me militantë partiakë që nuk përcjellin edukimin, por militantizëm të një partie që publikisht është larguar nga rregullat e lirisë.