"Qytetari në Zvërnec u tërhoq zvarrë, policia nuk reagoi"/ Karaj: Ngjarja u injorua nga disa media tradicionale
Gazetari Vladimir Karaj, i ftuar në emisionin "Ora e Betit" në Ora News, komentoi një ngjarje të raportuar së fundmi në një zonë lagune të tharë, ku një qytetar që po protestonte në mënyrë paqësore u përfshi në një përplasje fizike.
Sipas Karajt, gjithçka ka nisur kur një person ka pretenduar pronësi mbi një hapësirë që, sipas tij, nuk është tokë private, por shtrati i një lagune të tërhequr nga thatësira. Situata ka agravuar kur disa persona janë afruar nga fusha dhe kanë ushtruar dhunë ndaj qytetarit, duke e tërhequr zvarrë.
"Ai qytetar nuk kishte prekur askënd dhe nuk kishte cenuar asnjë pronë private. Personat që u afruan nga fusha e tërhoqën dhe e goditën, ndërsa policia qëndroi aty pa reaguar, edhe pse njerëzit kërkonin ndërhyrje."-tha ai.
Karaj solli në vëmendje edhe mënyrën e reagimit të forcave të rendit, duke e krahasuar me raste të mëparshme ku ndërhyrja ka qenë më aktive. Sipas tij, në këtë rast policia ka qëndruar e pranishme, por pa ndërhyrë në momentet e konfliktit.
"Në disa raste të tjera policia ka ndërhyrë për të ndarë palët. Këtë herë situata ishte ndryshe. Kishte thirrje për ndihmë, por nuk pati reagim në momentin e ngjarjes."-shtoi Karaj.
Gazetari u ndal edhe te mënyra se si ngjarja u trajtua në media dhe rrjetet sociale, duke thënë se ajo u shpërnda gjerësisht online, ndërsa nuk mori pasqyrim në disa media tradicionale. Ai përmendi gjithashtu edhe reagimin e mëvonshëm të policisë përmes një njoftimi zyrtar, i cili sipas tij nuk përputhej me pamjet e publikuara në rrjete sociale.


