Qytetari i komunitetit egjiptian fiton gjyqin ndaj Bashkisë Tiranë, merr dëmshpërblim 2.5 mln lekë

Qytetari i komunitetit egjiptian fiton gjyqin ndaj Bashkisë Tiranë,

Gjykata Administrative e Tiranës gjeti fajtore Policinë Bashkiake për diskriminim dhe i akordoi një dëmshpërblim monetar prej 2.5 milionë lekësh qytetarit Agron Cura për dëmin moral të pësuar nga diskriminimi. Lajmin e bëri të ditur Gentian Serjani, avokati që përfaqësoi Curën në gjyq.

Policia Bashkiake e gjeti Curën duke transportuar mbeturina me biçikletën e tij në Bulevardin Zogu i Parë në Tiranë dhe vendosi t’ia sekuestrojë biçikletën si dhe mbeturinat, pasi sipas tyre, plehrat “janë pronë shtetërore”.

Cura pretendoi diskriminim pasi sipas tij, mbeturinat në fjalë, materiale gipsi, ia kishte falur pronari i një dyqani që po bënte rikonstruksion në zonën e Komunës së Parisit dhe se sekuestrimi i mbeturinave dhe i biçikletës nën supozimin se ato janë vjedhur nga ndonjë kazan mbeturinash bashkiake, bazohej thjeshtë në paragjykimin e tij si qytetar egjiptian.

Çështja fillimisht u shqyrtua nga Komisioneri Kundër Diskriminimit i cili pyeti Policinë Bashkiake se mbi çfarë baze kishte kryer sekuestrimin e mbeturinave dhe të biçikletës me tre rrota të Curës. Bashkia iu përgjigj komisionerit duke deklaruar se “mbetjet urbane janë pronë e Bashkisë Tiranë,” ndërsa biçikleta iu konfiskua qytetarit për shkak se ai nuk dispononte dokument pronësie mbi të.

Sipas përgjigjes së policisë, cituar në vendimin e komisionerit, “Së bashku me mbetjet është bërë transportimi i mjetit biçikletë (karrocë), pasi shtetasi nuk dispononte asnjë dokument pronësie mbi të.” 

Këto argumente nuk pinë ujë para Komisionerit Kundër Diskriminimit, i cili, pas ankesës së qytetarit, shpalli fajtore Policinë Bashkiake për “diskriminim të tërthortë, për shkak të racës, etnisë dhe gjendjes ekonomike”.

Policia Bashkiake është akuzuar në vijimësi gjatë viteve të fundit për kryerje veprimesh arbitrare, përfshirë konfiskim të mjeteve të punës të qytetarëve të varfër, veprim ky i pabazuar në ligj dhe për të cilin, Policia Bashkiake nuk është e autorizuar nga ligji që ta bëjë. Duket se kjo është arsyeja se pse Policia Bashkiake, rrëmbimit të biçikletës së ricikluesit dhe dërgimit të saj në landfill i referohet si “transportim” ndërkohë që në praktikë përbën akt konfiskimi.

Gentian Serjani, një avokat i të drejtave të njeriut, kërkoi në Gjykatën Administrative të Tiranës dëmshpërblim monetar.

“Paditësi kërkon rikthimin e gjendjes së mëparshme, sikur ky fakt i paligjshëm diskriminues të mos kishte ndodhur, duke detyruar palën e paditur të dëmshpërblejë humbjet jopasurore, shendetesore, vuajtjen shpirtërore, morale, psikologjike, cënimin e vlerave e të cilësisë së jetës familjare e personale,” shkruhet në aktpadi.

Gjyqtari Eriol Roshi shpalli të hënën pranimin e pjesshëm të padisë dhe detyrimin e palës së paditur, Bashkia Tiranë, të kompensojë qytetarin e diskriminuar në masën 2.5 milionë lekë./ BIRN

EMISIONET