"Qytetarët e duan Shqipërinë"/ Sefa: Pavarësisht pengesave, protestuesit po shtohen nga dita në ditë

Avokati Indrit Sefa, i ftuar në emisionin "Ora e Betit" në Ora News, komentoi protestat e fundit qytetare dhe pjesëmarrjen në rritje të qytetarëve, duke i cilësuar ato si një shenjë të pakënaqësisë në rritje ndaj situatës në vend.

Sipas Sefës, që nga dita e parë e protestave, kur në terren u morën masa të shtuara sigurie për shkak të ndeshjes së futbollit mes Shqipërisë dhe Izraelit, numri i pjesëmarrësve ka ardhur duke u rritur gradualisht.

"Nga ajo ditë e parë kur u vendos policia me argumentin e ndeshjes Shqipëri-Izrael, protestuesit nuk janë pakësuar. Përkundrazi, numri i tyre është rritur gradualisht nga dita në ditë. Kjo tregon se qytetarët po vazhdojnë të bashkohen dhe të shprehin qëndrimet e tyre."-u shpreh avokati.

Gjatë diskutimit, avokati u ndal edhe te mënyra se si po zhvillohen protestat, duke argumentuar se pjesëmarrësit po tregojnë kujdes ndaj hapësirave publike dhe po shmangin aktet e dhunës.

Sipas tij, qytetarët po dërgojnë një mesazh se pakënaqësia ndaj institucioneve dhe mënyrës së administrimit të pasurive publike nuk lidhet me dëmtimin e pronës së përbashkët, por me kërkesën për më shumë përgjegjësi dhe llogaridhënie.

"Qytetarët shqiptarë po tregojnë se e duan vendin e tyre. Nuk duan protesta me zjarre, tym apo shkatërrim. Pasuria publike është ndërtuar me kontributin e të gjithë shqiptarëve dhe njerëzit nuk duan ta dëmtojnë atë. Kjo është arsyeja pse po shohim një protestë që shoqërohet me kujdes për hapësirat publike dhe për atë që u përket të gjithëve."-tha ai.

Sefa e konsideroi këtë sjellje si një tregues të ndërgjegjësimit qytetar, duke argumentuar se protestat po zhvillohen me fokus te mesazhi dhe kërkesat e qytetarëve, pa u shoqëruar me episode që cenojnë pronën publike.

EMISIONET