Qeveria rrit më tej fondet për rrugët në ndryshimet e fundit buxhetore

Qeveria rrit më tej fondet për rrugët në ndryshimet e fundit

Me gjithë sugjerimet për rritjen e paketave të ndihmës për të mbështetur shtresat e varfra nga rritja e çmimeve, qeveria në ndryshimet e fundit buxhetore ka rritur më tej fondet për rrugët.

Me aktin normativ të muajit korrik, që është botuar së fundi në Fletoren Zyrtare, buxheti i Ministrisë së Infrastrukturës është rritur me 5,5%, ku shumica e fondeve kanë shkuar në programin e transportit rrugor.

KETU LAJMET MINUTE PAS MINUTE

Buxheti total i Ministrisë së Infrastrukturës arriti me ndryshimet e fundit në 45,3 miliardë lekë, nga 42,9 miliardë lekë që  ishte me ndryshimet e muajit mars.

Sipas tabelave bashkëngjitur financimet e brendshme për transportin rrugor arritën në 24,1 miliardë lekë me një shtesë prej 1,4 miliardë lekësh ose rreth 11 milionë eurosh.

Gjithsesi buxheti i Ministrisë së Infrastrukturës është më i ulët se në buxhetin fillestar ku financimet totale për këtë dikaster ishin planifikuar me mbi 47 miliardë lekë në vitin 2022.

Rritja e buxhetit të rrugëve në mes të vitit ka qëllim kompensimin e rritjes së çmimeve, për lëndët e para, si çimento dhe hekur që janë rritur ne mënyrë të dukshme nga viti i kaluar.

Gjithsesi qeveria po tregohet më e rezervuar me zërin e investimeve për siguruar një mbrojtje më të lartë ndaj goditjeve të papritura që mund të sjellin çmimet e energjisë etj.

Por nëse rreziqet nuk ndodhin investimet rrezikojnë të rishpërndahen në dhjetor njësoj si përgjatë viteve të fundit.

Sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Financave, investimet kapitale faktike më 2021 arritën një vlerë prej 128 miliardë lekësh (mbi 1 miliard euro), por 32 % e kësaj vlerë 42 miliardë lekë ( 340 milionë euro) u dhanë gjatë muajit dhjetor. Zhvillimet buxhetore të vitit 2022 po ecin sërish në të njëjtën rrugë.

Ndërkohë që qeveria rishpërndan akumulimin e investimeve kapitale në fund të vitit në projekte të ndryshme, një borxh i fshehur jashtë llogarive zyrtare po rritet vit pas viti dhe po shihet me shqetësim nga institucionet financiare ndërkombëtare, shkruan Monitor.

Qeveria rrit më tej fondet për rrugët në ndryshimet e fundit

EMISIONET