Punonjësi humbi jetën ndërsa po çmontonte skelën, arrestohet drejtuesja teknike e punimeve në Kavajë

Punonjësi humbi jetën ndërsa po çmontonte skelën,

Një ditë pas tragjedisë në një pallat në ndërtim në Qerret të Kavajës, ku humbi jetën një punëtor dhe një tjetër mbeti i plagosur, Policia e Kavajës ka marrë masa ndaj përgjegjësve të punimeve.

Në përfundim të veprimeve të para hetimore, specialistët për Hetimin e Krimeve arrestuan në flagrancë shtetasen E. Xh., 68 vjeçe, banuese në Tiranë, e cila mbante detyrën e drejtueses teknike të punimeve.

Ajo akuzohet për shkelje të rregullave të mbrojtjes në punë.

Ndërkohë, janë shpallur në kërkim dy persona të tjerë: E. D., 53 vjeç, banues në Golem të Kavajës, administrator i firmës dhe sipërmarrës i punimeve në pallat, si dhe M. Sh., 31 vjeç, inxhinier i kompanisë ndërtuese.

Ngjarja e rëndë ndodhi gjatë çmontimit të një skele, kur 59-vjeçari H. P. humbi jetën, ndërsa shtetasi tjetër, S. H., 36 vjeç, pësoi dëmtime në këmbë.

Materialet procedurale janë referuar Prokurorisë Durrës, për vijimin e veprimeve të mëtejshme.

 

EMISIONET