PS thirrje opozitës: Të ulemi për të negociuar me emra konkretë për Presidentin. PDIU e gatshme
Deputetët e PDIU-së të dalë nga lista e PD nuk kanë asnjë dilemë për t’u ulur në tryezë me Partinë Socialiste për të zgjedhur Presidentin e ri të Republikës. Ndërsa mazhoranca ka ftuar publikisht për të negociuar me 3 grupet parlamentare para se të zhvillohet raundi i parë me 16 maj.
Një ditë pasi Konferenca e Kryetarëve vendosi të startojë procedurën parlamentare për zgjedhjen e Presidentit të ri të Republikës, PS i bën thirrje publikisht 3 grupeve parlamentare që të ulen në tryezë për të negociuar, tashmë jo vetëm për profilin.
Balla: Dhe për zotin Mediu me të cilët ne jemi të gatshëm të negociojmë tashmë me emra konkretë. Na duhet një President Republike i gjithë shqiptarëve.
Edhe pse doli nga listat e PD me 25 prill, Mesila Doda me grupin e saj parlamentar Demokraci dhe Integrim është e vendosur që të ulet në tryezë me Damian Gjiknurin, Taulant Ballën dhe Elisa Spiropalin, pavarësisht vendimit të pjesës tjetër të opozitës.
Doda: Ne kemi vendimet tona dhe absolutisht do ulemi. Nuk duhet të ketë procese bojkoti dhe parakushte.
Me 16 maj në një seancë të posaçme do të zhvillohet raundi i parë që kërkon 84 vota për të zgjedhur Presidentin e Republikës.