PS, në ofensivë për të nxjerrë Berishën jashtë Kuvendit në shtator, Shehu: Taulanti hedh fishekzjarre, por po shkojmë në diktaturë

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste,Taulant Balla, njoftoi sot se  Kuvendi i Shqipërisë do të adresojë gjatë sesionit të ri që fillon në Shtator "situatën e papranueshme dhe absurde se si një sekretar partie dhe njeri i afërt me udhëheqjen e diktaturës komuniste, i shpallur non grata nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britania e madhe, vazhdon të përdhosë këtë institucion me praninë dhe gjuhën e tij".

Edhe pse nuk e përmend emrin e tij, qartazi Balla i referohet Sali Berishës. Deputeti Tritan Shehu në një intervistë për Ora News, thotë se deklaratat e Ballës janë fushekzjarre për të zhvendosur vëmendjen nga aferat korruptive të qeverisë Rama.

Shehu: Taulanti hedh gjithmonë fishekzjarre, kërkon të heqë vëmendjen nga incineratorët, shkatërrimi ekonomik, korrupsioni, afera e portit të Durrësit, nga ajo që Shqipëria po zhytet gjithmonë e më tepër në varfëri. Kërkon të tërheqë vëmendjen dhe nga lëvizja popullore e cila po ngrihet dhe do të ngrihet përherë e më e fortë në Shqipëri. Të mos merremi me të tilla gjëra.

Nuk keni frikë se PS mund të mbledhë votat për të nxjerrë Berishën jashtë parlamentit?

Shehu: Ndonjë ditë dhe mund të arrestohen deputetë e opozitës, po shkojmë drejt një diktature. Jemi në pragun e viteve '45. Problemet dhe rreziqet janë për demokracinë shqiptare jo për individët. Këto përballohen vetëm me lëvizjen popullore. Ky regjim shembet, përballet, bllokohet vetëm me lëvizje popullore.

EMISIONET