“Projektet e Portit të Durrësit skemë e pastër piramidale”, Meta dhe Berisha thirrje qytetarëve: Mos blini apartamente

“Projektet e Portit të Durrësit skemë e pastër

Kryetari i PD-se Sali Berisha dhe Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta u kanë bërë thirrje qytetarëve që të mos blejnë apartamente në Portin e Durrësit.

Ish kryeministri Sali Berisha e bëri thirrjen nga tryeza e bashkëmisedimit e mbajtur sot (5 gusht 2022) me gazetarë.

Sali Berisha: Ju e morët vesh që në portin e Durrësit filluan të shesin apartamente. Edhe atë po e ndjekim dhe u bëj thirrje qytetarëve të Durrësit, mos bini viktimë e një piramide mashtrimi që po ndërtohet në port. Sepse absolutisht do të jetë subjekt konfiskimi, asnjë diskutim. Ajo është një nga aferat më të mëdha korruptive. Ndaj me këtë rast ftoj qytetarët e Durrësit të mos firmosin për asnjë investim. A mundë të ndodhë në botë që për menaxherët të jetë lëshuar urdhër arresti, por në të njëjtën kohë, ligji antimafje nuk vepron, atyre u konfiskohet çdo gjë, ato nuk konfiskohen sepse janë bashkëpronarë me Edi Ramën, Arben Ahmetaj, Erion Velinë. Nuk kanë ngritur akuza për korrupsion, por për shpërdorim detyre, paçkase se në krye aktakuzë prokuroria ka shkruar korrupsion, por e ka lënë mënjanë. Merret me gjethet nuk merret me trungun. Kjo do të ketë një gjykim popullorë për këtë, ja them unë Edi Ramës ta harrojë. Beteja do të jetë absolutisht vendimtare, e ka bllokuar drejtësinë, por nuk bllokon dot popullin. Por do ta provojë se si mund të bllokohet populli. Ajo është aferë me dokumente me çdo gjë do të jenë qytetarët që do të bëjnë gjyqin.

Sakaq kreu i Partisë së Lirisë Ilir Meta ju ka bërë thirrje qytetarëve që të mos blejnë apartamente në Portin e Durrësit përmes një postimi në rrjetet sociale, pasi sipas tij është një skemë e pastër piramidale për vjedhjen e parave.

Në një postim në rrjetin e në Facebook, Meta shkruan se nuk është publikuar asnjë memorandum, kontratë apo informacion se si do të bëhet ndarja e të ardhurave.

Sakaq ai ju bën thirrje organeve të drejtësisë të reagojnë menjëherë dhe të ndërhyjnë për të penguar nënshkrimin e çdo kontrate paraprake.

Postimi i plotë i Metës:

MOS BLINI APARTAMENTE NË PROJEKTIN E PORTIT TË DURRËSIT!

MOS BINI PRE E MASHTRIMEVE TË KËSAJ SKEME TË PASTËR PIRAMIDALE!

I ftoj të gjithë qytetarët të mos bien pre e mashtrimeve dhe të mos shpenzojnë asnjë qindarkë për blerjen e apartamenteve në Projektin e Portit të Durrësit, që nuk është gjë tjetër veçse një skemë e pastër piramidale për vjedhjen e parave tuaja.

Në mungesë të plotë transparence, për këtë të ashtuquajtur Projekt, nuk është publikuar asnjë memorandum, kontratë apo informacion se si do të bëhet ndarja e të ardhurave.

Është vetëm një aferë e pastër korruptive, që synon t'ju grabisë paratë dhe asgjë më shumë!

U bëj thirrje organeve të Drejtësisë të reagojnë menjëherë dhe të ndërhyjnë për të penguar nënshkrimin e çdo kontrate paraprake shit-blerje, në kundërshtim të ligjit dhe në dëm të qytetarëve.

EMISIONET