Presidenti Begaj: Shmangni gjuhën e urrejtjes
Në Ditën Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut, Presidenti Bajram Begaj apelon që të shmanget gjuha e urrejtjes, dhe të të respektohet çdokush që mendon e vepron ndryshe. Begaj thotë se shqiptarët e dinë mirë se çfarë është gjuha e diskriminimit dhe e dhunës, ndaj thekson se të Drejtat e Njeriut nuk janë një privilegj i dhënë nga qeveria.
Presidenti i Republikës Bajram Begaj, në përvjetorin e Deklaratës Universale pёr të Drejtat e Njeriut, që u shpall më 10 dhjetor të vitit 1948 nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, vlerëson se OKB i dha botës jo thjesht e vetëm një dokument parimesh, por mbi të gjitha idealin e përbashkёt.
Në reagimin e tij, kreu i shtetit ngre shqetësimin se miliona njerëz në botë, sot nuk i gëzojnë të drejtat universale për shkak të një sëre pabarazish dhe padrejtësish të sistemeve politike, për shkak të luftërave, të gjuhës së urrejtjes, diskriminimit, dhunës dhe mungesës së tolerancës ndaj dallimeve.
Por nga ana tjetër, Begaj thekson se ne shqiptarët e dimë mirë se çfarë është gjuha e urrejtjes, e diskriminimit dhe e dhunës, prandaj apelojmë me forcë, me qëllim që gjithësecili të ndjehet i detyruar për respektimin e të drejtave të të gjithë njerëzve, pa dallim të gjinisë, racës, fesë, bindjes politike, orientimit seksual, prejardhjes kombëtare apo sociale, statusit shoqëror apo çdo statusi tjetër.
"Ne shqiptarët e dimë mirë se çfarë është gjuha e urrejtjes, e diskriminimit dhe e dhunës, prandaj apelojmë me forcë, me qëllim që gjithësecili të ndjehet i detyruar për respektimin e të drejtave të të gjithë njerëzve, pa dallim të gjinisë, racës, fesë, bindjes politike, orientimit seksual, prejardhjes kombëtare apo sociale, statusit shoqëror apo çdo statusi tjetër.
Dita Ndërkombëtare e të Drejtave të Njeriut, është ndërkaq edhe një ditë kujtese dhe mesazhi që të gjithë kemi përgjegjësi për të garantuar dhe mbrojtur të drejtat e çdo qenie njerëzore.
Sepse çështja e të drejtave të njeriut nuk mund të jetë çështje e nje dite dhe as vetëm e një apo e disa institucioneve.
Presidenti i Republikës e mbyll reagimin e tij me citimin e Shën Terezës, e cila ka thënë se të Drejtat e Njeriut, nuk janë një privilegj i dhënë nga qeveria, ato janë të drejtat e çdo qenie njerëzore nga virtytet e njerëzimit të tij.
Shenim: *Ky është artikull ekskluziv i Ora News, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Ora News” bashkëngjitur me linkun e artikullit origjinal.