Politika e vjetër me drejtësinë e re/ Gërdeci, 21 Janari e incineratorët lënë partitë pa përgjigje

Dosjet e nxehta të politikës, përfshirë incineratorët, 21 janarin, Gërdecin apo hapjen e hetimeve për personat e shpallur non grata nga SHBA nuk kanë marrë përgjigje nga SPAK.

Në Komisionin e Integrimit, kreu i Prokurorisë së Posaçme ka dhënë vetëm një argument.

"Keni bërë një pyetje për një çështje konkrete për 21 janarin por nuk mund të jap përgjigje. Përsëri pyetje konkrete për çështjet e CEZ, privatizimin që nuk mund të jap përgjigje".

Sa i përket shpejtësisë së hetimeve, Kraja kishte argumentet e tij.

"Unë normalisht do të ndihem i qetë kur situata të sqarohet bazuar në procedurë dhe aktet ligjore."

Korrupsioni dhe pastrimi i parave ishte një nga pyetjet e deputetëve por që mbeten në prioritetin e SPAK.

"Ka korrupsion në të gjitha fushat, strukturat, ka pastrim parash dhe duhet një kordinim i gjithanshëm se nuk mund të bëhet as nga një strukturë as nga dy, por duhet të bëhet nga gjithë shoqëria, secili duke zbatuar detyrat që i ngarkon ligji."

Vetë ministri Manja nuk i ka cilësuar presion deklaratat e tij mbi hetimin e dosjeve të caktuara, por solli në vëmendje ligjin.

"Në pikën 3 thuhet: Ministri i Drejtësisë ua bën të njohura rekomandimet e Këshillit të Ministrave drejtuesve të prokurorive të gjitha shkallëve në një mbledhje të përbashkët. Drejtësia në këtë vend është e distancuar nga politika dhe kjo falë asaj reforme".

Përgjigjet e Krajës nuk sollën as plotësimin e kërkesave apo pritshmërisë së kreut të grupit parlamentar të PS-së Taulant Balla.

"Ju solla në vëmendjen tuaj rastin e Rumanisë, ku krimet e vitit 1990 u hetuan në vitin 2018."

EMISIONET