Po vijnë me pushime, fluks udhëtarësh nga deti dhe pikat kufitare me Greqinë
Kjo fundjavë e fundit e korrikut shënoi fluks udhëtarësh në Portin e Durrësit dhe pikat kufitare me Greqinë. Pjesa më e madhe e udhëtarëve janë emigrant që po kthehen për pushime në atdhe.
Kjo fundjavë shënoi nisjen e kthimit masiv të emigranteve për pushimet e verës në vendlindje, krahas turistëve të huaj.
Fluks udhëtarësh u shënua në portin e Durrësit.
4,645 pasagjerë mbërritën mëngjesin e së dielës me tre tragete të linjave me Italinë.
Sipas të dhënave zyrtare hynë edhe 1,144 mjete.
2,875 udhëtarë, shqiptarë e të huaj hynë në Shqipëri përmes Portit të Durrësit mbrëmjen e së shtunës me dy tragete.
Ndërsa rreth 3000 persona pritet të mbërrijnë me tragetet e darkës.
Fluks i shtuar i lëvizjes po shënohet edhe në pikat kufiare tokësore me Greqinë dhe Maqedoninë e Veriut.
6777, udhëtarë, shqiptarë e të huaj hynë në 24 orët e fundit përmes Pikës Kufitare të Kakavijës në Gjirokastër, nga ku 4085 të tjerë dolën drejt Greqisë
Nga Kapshtica, kanë hyrë 4222 shtetas dhe kanë dalë 2486.
Ndërsa në Qafë Thanë hyrë 3885 persona dhe 2289 të tjerë dolën drejt Maqedonisë së Veriut.
Policia Kufitare dhe Autoriteti në Portin e Durrësit dhe Vlorës thonë se kanë masa të gjitha masat për menaxhimin e fluksit të udhëtarëve, shmangien e radhëve dhe pritjes në port.
Paralelisht, vëmendje e shtuar po i kushtohet tentativave për veprimtari të paligjshme si ato të trafikut të drogës dhe kalimit ilegal të kufijve.