Plot 3 vite në barake, gruaja e vetmuar në Ishull-Lezhë, pret banesën e premtuar

Lezha është një prej bashkive, ku procesi i rindërtimit të banesave individuale të dëmtuara nga tërmeti po vonon. Materiali sjell historinë e një gruaje të vetmuar që prej 3 vitesh e pret në një barakë shtëpinë e re të premtuar.

Mure të rrëzuar dhe pirgje me inerte kanë mbetur në shesh.

Gati tre vite pas tërmetit shkatërrimtar të 26 nëntorit 2019, Shaqe Leka ende jeton në barakën që ka ndërtuar me dërrasë e llamarinë pranë rrënojave të shtëpisë në Ishull-Lezhë.

“Shtëpia ka dalë e pabanueshme prej tërmetit.”

Është  e vetme, pa asnjë të ardhur veç bonusit të qirasë që merr nga bashkia e Lezhës në vlerën e 20 mijë lekëve në muaj të cilin e përdor për tu ushqyer.

“Kam këto qepë dhe jetoj me këtë. Motra më ka ndihmuar me bukë.”

Tregon se nuk mund të përballojë jetesën në qytet, ndaj kërkon ndërtimin e shtëpisë së re.

“Thonë po ta bëjmë sot, po ta bëjmë nesër, por askujt nuk i bie ndërmend.”

Procesi i rindërtimit të banesave individuale është vonuar në Lezhë.

60-vjecarja tregon se ka trokitur disa herë në dyert e këtij institucioni por nuk ka marrë përgjigje.

“Bashkia e di se ku jetoj, por nuk e kanë problem nëse jam gjallë apo. I kanë futur bllok telefonit.”

Në Bashkinë e Lezhës thonë se Shaqe Leka trajtohet me bonus qiraje, ndërsa presin të akordohen fondet nga Programi i Rindërtimit për afro 200 banesave të reja individuale të dëmtuara nga tërmeti.

EMISIONET