Plan për vrasje, grupi nga Kurbini kapet brenda makinës së blinduar në Kune të Lezhës

Një atentat i mundshëm është parandaluar nga Policia e Lezhës dhe FNSH e Shkodrës në kuadër të operacionit të Koduar “Dyshimi”.

Një vajzë dhe një djalë, të dy nga Kurbini u arrestuan pasi dyshohet se po organizonin ngjarjen kriminale në zonën e Kunes.

Në pranga u vunë Nikoll Sherniku 28 vjeç dhe Flutura Berisha 34 vjeçe.

Policia u vu në lëvizje pas raportimit se kjo makinë e blinduar po qëndronte poshtë një pallati në zonën turistike, ç’ka kishte ngjallur dyshime.

Kur efektivët u afruan Nikoll Sherniku dhe Flutura Berisha u larguan me vrap por u kapën.

34 vjecarja që ishte edhe drejtuese e mjetit tentoi të fshehë një kallashnikov që kishin në makinë.

Arma e zjarrit së bashku me krehër e me fishek në fole, është gjetur më pas ndalimit të dy të dyshuarve.

Në fuoristradën e blinduar së bashku me ta qëndronte edhe një 15 vjeçar.

Aty u gjet edhe një një krehër tjetër automatiku me fishekë, ndërsa në çantën e 34 vjeçares, 2 radio marrëse – dhënëse, si ato të policisë.

Policia e Lezhës thotë se ka dyshime që lëvizja e këtyre shtetasve me automjetin e blinduar, në role të ndryshme, ishte për të realizuar një ngjarje kriminale.

Por për shkak të ruajtjes së sekretit hetimor, policia nuk bën të ditura të dhëna të tjera.

Nikoll Sherniku, rezulton personazh i njohur për policinë e Shtetit.

Ai ishte me masën e sigurisë “arrest në shtëpi”, pasi dyshohet i përfshirë në ngjarjen ku mbeti I vrarë ish-punonjësi i policisë Xhulio Prela, në dhjetor 2021.

Dyshimet janë se Nikoll Sherniku dhe Flutura Berisha mund të kenë vepruar për llogari të grupeve kriminale që veprojnë në Zonën e Kurbinit, ku muajt e fundit janë shënuar disa atentate.

Më i fundit ishte ekzekutimi i Brilant Martinaj, Diklen Vatës dhe Besmir Hoxhës në Fushë Krujë.

Brilant Martinaj, po ashtu ka qenë i dyshuar për vrasjen e Policit Prela, ngjarje për të cilën hetohet edhe 25 vjeçari Sherniku.

EMISIONET