"34 prokurorime në shkelje të ligjit", PL denoncon bashkinë Kamëz: U ka dhënë tendera klientëve të Rilindjes
Partia e Lirisë ka denoncuar sot Bashkinë Kamëz për papërgjegjshmëri dhe grabitje të parave të taksapaguesëve përmes tenderave të dhëna pa garë.
Anëtari i kryesisë së Partisë së Lirisë, Faik Basha bëri publik disa tendera të dhëna në shkelje të ligjit, pa konkurencë të përdorura në infrastrukturë dhe ujësjellës.
"Grabitja nga Rilindja e parave të qytetarëve vazhdon pa u ndalur në Bashkinë e Kamzës. Është fakt skandaloz që tenderat vazhdojnë tu jepen klientëve të rilindjes duke shkelur çdo ligj e trajtuar paratë e shqiptarëve si plaçke tregu. Kjo situatë është parë në 34 prokurorime të bashkisë Kamëz me tendera në shkelje të ligjit.
Ky është bërë një proces i zakonshëm në Bashkinë e Kamzës siç shihet dhe në tenderin e fundit të UKT Kamëz.
Fakti shqetësues lidhet me skualifikimin e të gjithë operatorëve konkurures përveç fituesit me tenderin më të lartë nga Bashkia Kamëz, atë për ndërtimin e rrugës së frutikulturës që ka kushtuar mbi 85 mln lekë dhe tenderin e fundit për planifikimin urban në rrugën "Kujtesa" i cili kushton 78 mln lekë për të cilën nga 12 garues u skualifikuan të gjithë përveç fituesit," tha ai.