Agjensia e monumenteve të natyrës bllokon punimet e “Salillarit” në kanionin e Sinecit

Pezullohen punimet që po kryen nga kompania “Salillari” Sh.p.k për ndërtimin e një ujësjellësi mbi lumin Sinec, që ndodhet në fshatin Lumas të Kuçovës. Vendimi për ndërprerjen e punimeve në terren është marë nga Agjensia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura, e cila ka urdhëruar kompaninë “Salillari”, subjektin kontraktor bashkinë Kuçovë dhe Inspektoriatin Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit, se duhet pezullojë punimet në terren.

“Ora News”, siguron të plotë vendimin e Agjensisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura, në të cilin thuhet se marja e këtij vendimi ka ardhur si pasojë e një inspektimi në 26 korrik 2021 në Kanionin e Sinecit, është konstatuar se po kryhen punime të paligjshme nga subjekti “Salillari”.

Sipas raportit të inspektimit, ndërtimet që po kryhen nga kompania Salillari, cënojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë, territorin e shpallur “Monument Natyror”. “…në shkresat e shkëmbyera disa herë me bashkinë e Kuçovës, është sqaruar disa herë që nuk lejohen aktivitete brenda këtij perimetri dhe që çdo aktivitet i kryer në mënyrë të paligjshme në zonat e mbrojtura apo monumentet e natyrës, trajtohet sipas ligjit…”-thuhet në vendim.

Më tej në dokument sqarohet se Agjensia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura, kërkon nga IKMT-ja që të marë masa të menjëhershme ligjore për punimete kryera në perimetrin e kanionit të Sinecit. Ndërkohë banorët e zonës, kanë paditur në SPAK, kryetarin e bashkisë Kuçovë, Kreshnik Hajdari, pronarin e kompanisë private, Pëllumb Salillari, shefin e komisariatit të Kuçovës, Geron Seitllari dhe Drejtorin e Policisë Berat, Neritan Nallbati.

Kjo është fitorja e dytë e banorëve të zonës së Lumasit, të cilët prej disa muajsh po protestojnë në mënyrë të vazhdueshme, për të ndaluar punimet që po kryhen për ndërtimin e një ujësjellësi, duke tentuar të marin ujin e burimit të lumit Sinec.

Por kjo ndërhyrje në këtë burim prish dhe bukurinë natyrore të kanionit të Sinecit, i cili qysh prej vitit 2019, është i shpallur me Vendim të Këshillit të Ministrave, “Monument Natyre”. Pak ditë më parë, ishte prokuroria e Beratit, ajo që i dha të drejtë banorëve të Lumasit, të cilëve u pushoi ndjekjen penale, duke argumentuar se protesta e tyre është e ligjshme dhe kushtetuese.

 

EMISIONET