“5 maji” Avokati i Popullit: Banorët s'kanë garanci, bashkia Tiranë na dha informacion të paargumentuar

“5 maji” Avokati i Popullit: Banorët s'kanë garanci,

Avokati i Popullit ka reaguar në lidhje me situatën e krijuar me rastin e ndërhyrjes së bashkisë së Tiranës për prishjen e disa banesave në zonën “5 maji”.

Ky institucion bën me dije se problematika është bërë prezentë nga një grup banorësh nga zona e “5 majit” dhe se Avokati i Popullit ka ndjekur në terren këtë proces.

Avokati i Popullit sqaron se banorët kundërshtojnë prishjen e banesave të tyre me arsyen se nga ana e Bashkisë Tiranë ka munguar transparenca lidhur me aktet e prodhuar për shkëmbimin apo dhurimin e pronës.

Kjo procedurë është e padetajuar me të dhënat përkatëse dhe pa informacion se cila është pasuria që do t’u vihet në dispozicion banorëve në këmbim të pronës së marrë në kuadër të zhvillimit të zonës.

“Nëpërmjet këtij ankimi banorët pretendojnë se janë njoftuar vetëm për lirimin e objekteve në datën e përcaktuar, por nuk kanë asnjë informacion të mëtejshëm lidhur me strehimin e tyre. Banorët shprehen se po u merren banesat e tyre, por nga ana e Bashkisë Tiranë dhe strukturave të vartësisë nuk janë bërë me dije procedurat që do të ndiqen për garantimin e strehimit pas lirimit të godinave të tyre.”

Institucioni i Avokatit të Popullit është vënë në lëvizje për hetimin e gjithë procedurës së ndjekur nga organet kompetente në përcaktim të qartë të situatës së krijuar dhe nëpërmjet korrespondencës me Bashkinë Tiranë në kuadër të këtij hetimi u kërkua informacion i detajuar mbi arsyet se përse nga ana e kësaj Bashkie është arritur në konkluzionin se shpronësimi i banorëve.

“Interesimit të Institucionit të Avokatit të Popullit Bashkia Tirane dhe strukturat përkatës nuk i është përgjigjur në kohë dhe më tej informacioni i paraqitur është i përgjithshëm i pa argumentuar dhe dokumentuar me aktet përkatëse.” – bën me dije Avokati i Popullit.  

Avokati i Popullit e vlerëson si pozitiv qëndrimin e shprehur në VKM e sipërcituar për mundësinë e pajisjes me apartament/banesë të të gjithë banorëve të prekur nga ky projekt, ai tërheq vëmendjen së pari për transparencën e cunguar që ka shoqëruar përpilimin dhe ekzekutimin e këtij vendimi, gjë që ka shkaktuar edhe një gjendje të dukshme pasigurie, paqartësie dhe shqetësimi për qytetarët.

“Gjithashtu Avokati i Popullit tërheq vëmendjen mbi disa klauzola të këtij vendimi, të cilat për shkak të procedurave të ndjekura me justifikimin e emergjencës së krijuar nga tërmeti i vitit 2019, sot më 2022 nuk ofrojnë garanci të mjaftueshme për qytetarët të cilët preken nga prishja e objekteve të tyre e u premtohet në mënyrë evazive një formë kompensimi e pa-individualizuar dhe e pa-afatizuar.”  

EMISIONET