Përplasja e armatosur në Elbasan, Bardhi sfidon Berishën: Bëj kërkesën për komision hetimor, do ta firmos dhe loboj për votim

Nga Elbasani Sali Berisha e akuzoi Gazment Bardhin sëbashku me Taulant Ballën si arkitektët e përplasjes së armatosur në Elbasan gjatë fushatës së zgjedhjeve të 25 prillit 2021.

Sipas Berishës insistimi për të mos hetuar këtë ngjarje ishte dhe arsyeja që çoi në mbylljen e komisionit hetimor për masakrën zgjedhore.

Por Bardhi i ftuar në Ora News e sfidoi Berishën publikisht të ngrejë një komision të posaçëm për Elbasanin  duke i premtuar firmën e tij dhe lobimin te kolegët për ta votuar.

Bardhi: Nuk ka gjë më të shëmtuar për një njeri që i thotë vetes demokrat të barazojë sakrificën, mundin dhe terrorin që kanë kaluar demokratët e Elbasanit në fushatën e 25 prillit 2021 me sulmin, banditët dhe organizatat kriminale që kishte si shtab elektoral Taulant balla në Elbasan. Vetë Sali Berisha ka qendrim për atë ngjarje. Unë kam mbajtur një qëndrim korrekt, duke kapërcyer njeriun politik, duke u sjellë si njeri duke qenë se aty kishte një jetë të humbur dhe disa të plagosur.

I kam bërë thirrje që ditën e parë organeve të drejtësisë të hetojnë me shpejtësi, profesionalizëm arsyet e ngjarjes, autorët dhe shkaqet reale. Për të dalë te gënjeshtra që ka prodhuar gjatë këtyre dy ditëve Berisha, unë kam këtu vendimin e Komisionit hetimor. Ngjarja e Elbasanit nuk ka qenë objekt i hetimit të komisionit hetimor, komisioni ka pasur katër çështje: Të dhënat personale, shpëdorimi i fondeve të tërmetit, procesi i legalizimeve dhe punësimet në administratë.Ngjarja e Elbasanit nuk ka qenë kurrë objekt diskutimi në këtë komision.

 Unë kam një apel tani për Sali  Berishën meqenëse ka bërë publikisht thirrje që ngjarja të hetohet, të bëjë gati një kërkesë për komision të posaçëm hetimor për këtë ngjarje. Të caktojë kryetarin dhe anëtarët e komisionit nga opozita, njerëz që ka besim. Unë jo vetëm do firmos por do loboj me secilin peej kolegëve ta nënshkruajnë, ta mbështesin me votë. Nuk ka njeri më të interesuar se unë dhe demokratët që kanë qenë në atë betejë për zbardhjen e plotë të ngjarjes.

Meqë Berisha thotë e kemi penguar këtë se nuk donim të hetohej ngjarja fatkeqe në Elbasan, e nxis publikisht të bëjë gati kërkesën, të ma sjellë për firmë. Do jem një nga firmëtarët dhe do mbledh sa firma të dojë brenda grupit parlamentar. Kam vetëm një kërkesë, të ma sjellë dorazi dhe jo me fax se pastaj lë gjurmë dhe pastaj i shkakton netë të tëra pa gjurmë. Dorazi me korrier, unë e firmos. Le të bëhet kryetar dhe vetë se deputet është. Të më marrë në pyetje, të më hetojë. Jam 100% i gatshëm. E kam ftesë dhe sfidë publike. Ta bëj gati dhe të ma sjellë që sot.

EMISIONET