Divjakë/ I vë flakën barit, digjet vetë (Pamje)
Një 68 vjeçar humbi jetën në Divjakë pasi u dogj në zjarrin që ndezi vetë.
Mihal Nushi, banor i fshatit Goricaj e kishte nisur ditën duke pastruar arat nga barishtet e këqia. Për ta bërë këtë sa më shpejt ai u vuri zjarrin.
Barishtet digjen shpejtë dhe flakët të ndihmuara nga era dhe temperaturat dolën jashtë kontrollit. 68 vjeçari u gjend vetë i rrethuar nga zjarri që sipas dëshmive mori përmasa të mëdha.
Banorët që u gjendën në zonë thonë se tentuan ta ndihmojnë por nuk arritën ta shpëtojnë të gjallë.
Në vendin e ngjarjes ka shkuar policia dhe ka nisur hetimet për ngjarjen tragjike.
68 vjeçari nga Divjaka bëhet kështu viktima e parë e zjarreve për këtë sezon të nxehtë në Shqipëri.
Ndër vite janë disa të moshuar që kanë humbur jetën duke pastruar barishtet përmes djegies që është shkaku kryesor i zjarreve në pranverë dhe vjeshtë.
Verën e kaluar një çift bashkëshortësh humbën jetën si pasojë e një zjarri që doli jashtë kontrolli në fshatin Asim Zeneli në Gjirokastër.