Përmbytet rruga e "Sanatoriumit" në Tiranë, kalohet vetëm me çizme llastiku
Reshjet e shiut kanë zbuluar punimet jocilësore nëpër rrugët e Tiranës. Bllokimi i një pusete në zonën e Sanatoriumit ka përmbytur rrugën për në hyrje të spitalit por dhe në lagje. Edhe në zonën e Freskut automjetet përballen me gropa uji.
Ky përrua ka bllokuar rrugën e hyrjes në Sanatorium dhe të gjithë lagjen e banesave në këtë zonë të Tiranës. Shkak është bllokimi i pusetës.
“Kalimi në zonë është i vështirë, ndaj dhe unë u detyrova të vesh këto çizme llastiku.”
Dhe ata qe nuk i kishin këto çizme u detyruan të mbaheshin pas kangjellave të shtëpive aty pranë.
Qytetarët shprehen se shkak për bllokimin e pusetës mund të jenë gurët që vijnë nga një rrugë e amortizuar aty pranë në lagje.
"Është një rrugë e pashtruar, të gjitha dherat vijnë këtu dhe bllokohen pusetat. Zakonisht zhbllokohen shpejt por këtë radhë fare."
Uji ka vërshuar nga rruga në hyrjet e shtëpive pranë.
Pavarësisht se situata është bërë problematike që prej fundjavës, kur dhe shirat filluan, vetëm gjatë kësaj të marte ekipet e Ujësjellës-Kanalizimeve erdhën në zonë.
Punimet jo cilësore në rrugë dhe problemet infrastrukturore në Fresk i kanë vënë në dukje akoma më shumë reshjet e dendura të shiut.
Kjo është gjendja në rrugën “Muhamet Deliu”.
Nëse punimet do ishin bërë sipas standarteve që premtohen, thonë qytetarët, problematika të tilla do të shmangeshin.