Pensionistëve në Lezhë nuk u mjafton shpërblimi, kërkojnë rritje të pensionit

Tërheqja e shpërblimit të fund vitit është kthyer në sfidë për pensionistët në Lezhë.

Në të gjithë qytetin ka vetëm një pikë ku po bëhet shpërndarja, e për rrjedhojë mosha e tretë po përballet me pritje të gjata dhe kaos.

Përballë rritjes së çmimeve dhe kostos së jetesës, shpërblimi i fundvitit me vlerë 5 mijë lekë është i pamjaftueshem thonë pensionistet e Lezhës.

"Çfarë mjafton?! Ato po tallen me ne.

Nuk mjaftojnë askund. Ne jemi pensionistë, kemi vitin e ri. Duhet me e pyet Edi Ramën se sa lekë harxhon për Vitin e Ri ai," thonë ata.

Ata i kërkojnë qeverisë që të mendojë dhe për rritjen e pensioneve.

Poll

"Ne kemi hallin që të rriten pensionet. Shteti duhet të ndërhyjë se i shikojnë dhe vetë çmimet, nafta në radhë të parë, benzina e gazi.

Kemi punuar 50 vjet dhe marrim 5 mijë lekë. Unë marr ilaçe për tension, kam për të marrë për diabet," thonë ata.

Shpërndarja e shpërblimit të fundvitit për pensionistet ka nisur që prej datës 1 dhjetor, ndërsa tërheqja e pagesës mund të bëhet edhe në ditët e para të muajit janar.

Shenim: *Ky është artikull ekskluziv i Ora News, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Ora News” bashkëngjitur me linkun e artikullit origjinal.

EMISIONET