Pelegrinazhi në Malin e Tomorit/ Policia e Beratit përcakton një rrugë në ngjitje, dy në zbritje

Nga 18 deri në 25 Gusht zhvillohet pelengrinazhi i përvitshëm në Malin e Tomorrit. Policia e Beratit publikoi planin e masave për rregullimin e lëvizjes dhe garantimin e sigurisë.

Të enjten e 18 gushtit nis pelegrinazhi i përvitshëm në Malin e Tomorit  që kulmon më 25 Gusht me praninë e mijëra vizitorëve.

Pak orë para se pelegrinët e parë ti drejtohen malit që e cilësojnë të shenjte, policia e Beratit ka publikuar planin e masave për garantimin e sigurisë.

Rrugët e lëvizjes janë të përcaktuara.

Për tu ngjitur drejt Malit, do të ndiqet itinerari nga Hyrja e qytetit të Beratit – Rrethrrotullimi i Kombinatit - Unaza e qytetit – Rrethrrotullimi Uznovë – Kryqëzimi Plirëz – Teqeja e Kulmakut.

Ndërsa në zbritje janë përcaktuar dy rrugë.

E para : Teqeja e Kulmakut – Bargullaz – Pronovik – Poliçan – Uznovë – Berat (rruga kryesore Antipatrea) -  Rrethrrotullimi i Kombinatit.

Dhe tjetra: Teqe e Kulmakut – Novaj – Bogovë – Poliçan – Uznovë – Berat (rruga kryesore Antipatrea) -  Rrethrrotullimi i Kombinatit.

Drejtuesit e mjeteve dhe pelegrinët që vijnë nga qyteti i Çorovodës, këshillohet të përdorin aksin rrugor “Çorovodë – Gjerbës – Teqeja Kulmak” dhe kthim.

Për shkak të parametrave të rrugës, në segmentin rrugor “Plirëz – Teqeja e Kulmakut”, qarkullimi i mjeteve do të kryhet në kolonë dhe nuk do të lejohen parakalimet.

Gjithashtu, është i ndaluar qëndrimi dhe pushimi i mjeteve në aksin e rrugës.

Autobusët nuk do lejohet të qarkullojnë në aksin “Plirëz – Teqeja e Kulmakut - Mali i Tomorrit”.

Policia kërkon nga drejtuesit e mjeteve të zbatojnë rregullat e lëvizjes, të shmangin përdorimin e telefonit dhe të mos përdorin alkool.

Ndërkohë në disa rrugë kryesore të Beratit nuk do të lejohet të qarkullojnë mjete të tonazhit të rëndë nga ora 06:00 – 24:00, për periudhën 18 - 25 gusht 2022.

Për garantimin e sigurisë 24 orë gjatë ditëve të pelegrinazhit do të jenë 185 efektivë me rreth 42 mjete të Policisë së Beratit të mbështetur nga Forca të Ndërhyrjes së Shpejtë Fier.

EMISIONET