"PD në kohë për të gjetur polin e bashkëpunimit", Mziu: Konsultime informale mes grupeve të PD, në shtator unifikimi

Deputeti i PD dhe njëherësh dhe anëtar i Komisionit Parlamentar për Reformën Territoriale, Xhelal Mziu gjatë një interviste për Ora News me gazetarin Everest Dedaj tha se po bëhen konsultime informale me qëllim dhënien fund të përçarjes brenda PD. Ai tha se shpreson se unifikimi do të ndodhë diku tek muaji shtator apo tetor.

Gjithashtu  Mziu u shpreh se edhe përsa i përket reformës territoriale  e gjithë opozita është e angazhuar për këtë reformë, pavarësisht pse PD nuk është e bashkuar.

Xhelal Mziu: Bojkoti ka treguar që nuk është sukses për asnjë forcë politike. Pra çdo bojkot konvertohet në negativitet për forcën politike, që shkon drejtëpërsëdrejti te qytetari. Nuk jemi komod që nuk është e gjithë opozita e bashkuar por jam i sigurtë që dhe ato janë totalisht si dhe ne të angazhuar për të pasur një reformë, pavarësisht konfliktit të brendshëm që ne kemi sot. Ne po bëjmë konsultime informale mes kolegëve dhe shpresojmë që ato do të jenë pjesë e këtij komisioni apo këtij kontributi pasi është një betej jo vetëm politike por finalja është më kryesorja për qytetarët shqiptar.

"PD është ende në kohën e duhur për ta gjetur polin e bashkëpunimit. Kemi akoma mjaftueshëm kohë për tu bashkuar. Ka takime informale me deputet të të dyja kahëve në PD. Jemi shpresë plotë të gjendet një zgjidhje. Pikat e ndarjes janë shumë të pakta në atë se çfarë duhet të përfaqësojë PD. Shpresoj që ky bashkim do të ndodhë diku tek muaji shtator apo tetor dhe jemi në kohën e duhur që të ndodhë unifikimi i PD por dhe të dalim përtej PD pasi vetëm në këtë mënyrë mund të kthehemi në  maxhorancë. I kemi të gjitha potencialet e nevojshme parlamentare. Kemi platforma mjaft konkuruese që e sfidojnë këtë qeverisje moniste."

EMISIONET