PD ikën nga Kuvendi/ Rama fton Bashën të diskutojnë reformën territoriale: Duhen më pak bashki

Pas mbylljes së votimit për qeverinë e re, kryeministri Rama ka marrë sërish fjalën në Kuvend. Por në momentin që Rama filloi të fliste, opozita u largua. Kryeministri tha se opozita nuk duhet të bëjë më  gabimin që ka bërë historikisht duke i lënë gjërat për në fund, por duhet të ulen dhe të diskutojnë me qeverinë.

Rama: "Programi synon të jetë 100% i realizueshëm të paktën në atë pjesë që kanë të bëjnë pandeminë, projektet e mëdha dhe tërmetin. E fundit që do kisha për opozitën është që dëgjova nga kryetari i PD-së që të gjitha ato synime të cilat janë të parealizueshme pa bashkëpunimin me shumicën do t'i ndjekim me popullin. Nuk kam asnjë problem që të zbresin në popull dhe të flasin për reformën zgjedhore, reformën territoriale apo për çfarë të tjerash ata synojnë, por në fund të ditës nëse duan që të kemi diskutim dhe nëse duan që ta synojnë në terrenin konkret realizimin e këtyre synimeve duhet të flasin me ne.

Nuk duhet të bëjnë gabimin që e kanë bërë historikisht, që i kanë lënë gjërat gjithmonë për në fund. Ndërkohë që ne i thoshim "hajde ulemi për reformën zgjedhore" ata nuk uleshin. Ne në momentin kur ata ikën shpikëm edhe një karrige shtesë se nuk ishin në Parlament, reforma zgjedhore bëhet me opozitën parlamentare, sepse e dinim se ata ishin opozita e zgjedhur."

Reforma territoriale

Kryeministri u shpreh se opozita duhet të ulet me mazhorancën dhe të ballafaqojnë argumentet edhe për reformën territoriale. 

Rama: "Sidoqoftë kjo është zgjedhja e tyre, ne jemi të gatshëm të diskutojmë për të gjitha. Patjetër jemi gati ta diskutojmë reformën territoriale, por ne kemi një qëndrim krejt të kundërt. Ne mendojmë se duhet të ketë më pak bashki, jo më shumë. Ajo që ne duhet të bëjmë është të ulemi dhe të ballafaqojmë argumentet. Mbase ne i bindim ata, mbase ata na bindin ne. kjo bëhet mes dy palëve, nuk bëhet thjeshte duke thënë juve nuk ju njohim dhe po ikim në popull. "

Kuvendi i Shqipërisë ka votuar sot rreth orës 06:40 qeverinë “Rama 3”,  për miratimin e programit politik dhe përbërjes së Këshillit të ministrave. Programi dhe përbërja e qeverisë “Rama 3” mori 77 vota pro, 53 kundër dhe 1 abstenim./OraNews/

EMISIONET