PD denoncon: Bashkia Vau i Dejës, vjedhje spektakolare me likuidime projektesh të patenderuara

Partia Demokratike vijon të denoncojë aferat korruptive në bashkinë Vau i Dejës.

Nënkryetari i PD dhe njëherazi kreu i grupit parlamentar demokrat, Luçiano Boçi deklaroi gjatë një konference për shtyp nga selia blu se institucioni i bashkisë ka kryer likuidime për projekte të panderuara, kryesisht objekte shëndetësore dhe arsimore. 

Sipas tij, të gjitha projektet ka mangësi nga dokumentet e kërkuara në tender, kjo konfirmohet edhe nga akt konstatimi i Anti-korrupsionit ku thuhet:

“Nuk na janë vënë në dispozicion dokumentacioni për zbatimin e kontratës dhe marrjen në dorëzim të objektit të prokurorimit, duke përfshirë edh projeket e zbatimit, relacionet përkatëse, preventivat, specifikimet teknike dhe çdo document tjetër i kërkuar në DST.”

Boçi: Sot do të vazhdojmë me denoncimin e dytë të vjedhjeve me disa seri në Bashkinë e Vaut të Dejës. Bëhet fjalë për një abuzim në shifrën e 100 milion lekëve, paraqitur si shpenzime për ‘Hartim Projektesh’ për vitin 2020.    

Së pari, janë likujduar projekte të patenderuara, një rikonstruksion, plus shtesë, për shkollën 9 vjeçare Hajmel dhe rikontruksion për shkollën Barbullush.

Së dyti, janë marrë në dorëzim projekte të patenderuara, me vlerë rreth 20 milion lekë, objekte qendrash shëndetësore, të cilat janë në fakt në varësi të Ministrisë Shëndetësisë: ndër to qendra shëndetësore Mjedë, e tenderuar nga ministria e linjës me dt. 30 mars 2020.

Së treti, referuar dokumenteve standarde dhe kontratës, projektet duheshin dorëzuar brenda 2 muajve, ndërkohë që janë dorëzuar brenda tri ditësh. Pas dorëzimit në sekretari çuditërisht të nesërmen, me dt 30/6/2020. është bërë edhe likujdimi i plotë. Shumë e thjeshtë arsyeja: fituesi është paracaktuar.

Të gjitha këto shkelje janë pasqyruar në padinë që ka çuar në SPAK dega e PD të Vaut të Dejës. U bë më shumë se një vit që është bërë kjo dhe nuk ka asnjë reagim nga Prokuroria e Posaçme.

U bëjmë thirrje që, nëse nuk i tërheq ligji dhe e drejta, të paktën ta lexojnë dosjen sepse aty ka letërsi fantastike. Sidomos skena me 5 familje, që kanë zaptuar të gjitha kopshtet e Bashkisë së Vaut të Dejës, ne na pëlqen shumë. Do të shihemi së shpejti për një episod tjetër.

EMISIONET