PD 5 pyetje për Incineratorët: Pse u kaluan dje 2 mld lekë në llogaritë e Zotos dhe Gugalljes?

Përmes një deklarate të Anëtarit të Këshillit Kombëtar, Jamarbër Malltezi, PD ka kërkuar përgjigje lidhur me aferën e incineratorëve.

Malltezi tha se lobohet shumë për ta varrosur aferën e inceneratorëve, që ka gëlltitur qindra miliona euro, dhe vazhdon t’i marrë qytetarëve shqiptarë miliona të tjera. 

Sipas tij, Klodian Zoto & Stela Gugallja përfituan dje në kontot e tyre bankare, 3 herë brenda ditës nga 627 milion lekë nga Belinda Balluku. Para dy ditësh ishte Erion Veliaj që i ‘qerasi’ me 878 milionë lekë.

Pesë pyetje e PD-së për incineratorët:

1.    Pse, pavarësisht faktit se Inceneratori i Fierit nuk funksionon, Edi Rama dhe Belinda Balluku derdhën dje, me 1 Gusht 2022, 3 herë nga 627 milion lekë në kontot e Zotos dhe Gugalljes?

2.    Pse, edhe kur ka një urdhër arresti ndërkombëtar, si për Zoton dhe Gugalljan, në llogaritë e tyre vazhdojnë të derdhen qindra miliona lekë?

3.    Pse, pavarësisht faktit se Inceneratori i Tiranës është imagjinar, ende nuk i janë hedhur as themelet, Erion Veliaj çon 878 milionë lekë në kontot e Zotos dhe Gugalljas?

4.    Pse SPAK nuk sekuestron produktet e korrupsionit të Edi Ramës?

5.    Pse, kur na thuhet se nuk ka lekë për të kompensuar rritjen e çmimeve për shtresat në nevojë; nuk ka lekë për të pastrehët nga tërmeti; nuk ka lekë për të kompensuar rritjen e çmimit të naftës dhe ushqimeve; paska qindra miliona lekë për partnerët e Edi Ramës, si Klodian Zoto e Stela Gugallja, me urdhër arresti ndërkombëtar?  

Këto janë pyetje shumë të thjeshta për shqiptarët, por shumë të vështira për drejtësinë e kapur nga Edi Rama. Ne kemi një përfundim: të gjitha këto ndodhin sepse ata i ndajnë paratë se bashku.

EMISIONET