Pas sulmit me tritol, kreu i FSHF-së ruhet “me polici”

Presidenti i FSHF, Armand Duka, ka shtuar masat e sigurisë për familjen pas sulmit me tritol dhe akuzave nga kryebashkiaku i Tiranës. Banesa e familjes në Durrës, ruhet me polici private. Ndërkohë 34-vjeçari Arlen Hasanaj, i arrestuar për tritolvënien, ka mohuar akuzat.

Pas sulmit me tritol në derën e shtëpisë dhe akuzave e linçimit publik nga kryebashkiaku i Tiranës, Presidenti i FSHF, Armand Duka ka shtuar sigurinë.

Banesa ku familja jeton në lagjen 4 në Durrës, tashmë ruhet me polici private.

Arlen Hasanaj, një sipërmarrës 34 vjeçar nga Durrësi u arrestua si autori i tritolvënies mbrëmjen e së hënës.

Ai rezulton banor i të njëjtës lagje dhe u identifikua nga pamjet e kamerave të sigurisë në rrugët që ndoqi për tu larguar nga vendngjarja.

Në momentin e ndalimit nga policia ai mbante ende veshur xhupin nën të cilin fshehu fytyrën mbrëmjen e të hënës.

Në dëshminë e parë, 34-vjeçari i ka mohuar akuzat duke pretenduar se është arrestuar me të padrejtë për një ngjarje me të cilën nuk ka lidhje.

Por policia ka ngritur ndaj të riut akuzat e “Shkatërrimit të pronës me eksploziv” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve shpërthyese dhe i municionit”.

Mister edhe për grupin hetimor mbetet ende motivi i ngjarjes që pasoi një valë akuzash e sulmesh politike nga kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj ndaj kreut të FSHF.

Presidenti i FSHF, Armand Duka i kontaktuar nga Ora News, mohoi të kishte konflikte me 34-vjeçarin e arrestuar.

Ky i fundit, pritet të merret në pyetje sërish në orët në vijim, në funksion të hetimit që vijon në disa pista.

Ai rezulton se ka një lokal dhe një market, një biznes që rezulton që e ka hapur në vitin 2020.

Pas sulmit me tritol, kreu i FSHF-së ruhet “me polici”

EMISIONET