Parashikimet për vjeshtën politike, Ngjela: Deti ishte bërë kos nga korrupsioni, kush ka futur lugën do ta paguajë
Shtatori politik sipas të gjitha shenjave nuk do të jetë i qetë. Avokati Spartak Ngjela në një intervistë për Rtv Ora me gazetaren Besmira Pelushaj thotë se SPAK tashmë e ka të konsoliduar strukturën e tij, sikundër garancinë financiaren dhe atë të mbrojtjes nga SHBA.
Nga ana tjetër edhe dy iniciativat ligjore për dosjet e ish-Sigurimit dhe non gratat pritet të kalojnë jo pa tension.
Ngjela: SPAK-u ka pasur probleme në lidhje me strukturën e tij dhe shenjat janë që e ka kaluar. E para është financimi. Financimi tani është garantuar nga Kongresi Amerikan. Financimi përmban në vetëvete dhe mbrojtjen. Po përgatiten të godasin një lëvizje të ashpër mafioze që do të kundërpërgjigjet me armë. Tani janë gjërat gati. Pastaj shohim dhe dy iniciativa ligjvënëse që i kemi prezent në parlamentin shqiptar. Një e ka deklaruar opozita, tjetrën mazhoranca. Njëra është për të rishikuar dhe njëherë ligjin e dekriminalizimit dhe tjetra për të vështruar arsye të tjera të të njëjtit tip. Njëri është për non gratat, tjetri është për heqjen e bllokimit për rishikimin e figurave në funksion të ish-Sigurimit të Shtetit. Të dy këto ligje po futen në parlament dhe kanë acaruar Saliun dhe Metën. Mazhorancat politike nuk i marrin nga qejfi ndërmarrjet për legjislacion të ri. E hisur në të tilla forma, kuptohet se ka brenda një sferë njerëzish që do ti kapë.
Inciativat do të kërkojnë ndryshime në Kushtetutë, por Ngjela thotë se mazhoranca i ka 94 votat sëbashku me grupin e Alibeajt.
Ngjela: Nuk po flasim për kundërshtarë politikë por për një gjë juridike që duhet të ishte bërë dhe nuk është bërë. Këta e kanë bërë vetë kështu dhe kanë rënë brenda. Duhen 94 vota por i kanë me Alibeaj, ka 30 e ca deputetë. Ai që nuk do votojë këtë kuptohet se ka qenë në lojë për të shkatërruar legjislacionin shqiptar në lidhje me pastërtinë e figurës. Mazhoranca i ka të garantuara 94 vota. Të presim shtatorin sesi do të precipitojnë ngjarjet.
Si jurist ai nuk do të flasë pa fakte juridike që çojnë në hamendësime për arrestime politikanësh. Por ai është i sigurt se kush "ka futur lugën në kos" do digjet.
Ngjela: Korrupsioni në Shqipëri ka qenë një gjëmë dhe ka qenë masiv. Deti ishte bërë kos nga korrupsioni. Po të kenë futur lugën do ta paguajnë. Unë kam parë ligjet, ligjet janë të ashpra. Nëse ligjet do zbatohen nuk gënjen dot. Ama vilat janë, shpenzimet janë. Si do operojë SPAK? SPAK deri tani është në sekret të plotë dhe ashtu duhet të veprojë. Ne kemi vetëm një shpresë, të funksionojë SPAK në mënyrë që ne të ngrejmë personalitetin e shoqërisë dhe shtetit shqiptar.
E ndërsa Berisha dhe Meta kanë paralajmëruar një vjeshtë protestash, ai thotë se protestat janë shëndet për demokracinë përsa kohë nuk eskalojnë në dhunë.
Ngjela: Protestat nuk mund të rrëzojnë dot pushtete, pushtete rrëzohen dhe fitohen me votë. Së dyti, në do ketë marrëzi armësh këtu janë trupat e NATO-s, e dini. Nuk mund të lënë ata të destabilizohet një vend i NATO-s nga aventurierë po të jetë se kalojmë në këto aspekte por nuk besoj. Sa i takon protestave, protestat janë shëndet për demokracinë. Do bëjnë protestë, do ikin. Nuk besoj se do kenë numër të madh, pashë protestën e fundit të 7 korrikut. Isha atje. Lërë se çfarë montuan në foto, por nuk shkonin deri te ura dhe ishin të hapur. Protestat janë shëndet për shoqërinë, ato paqësore, jo protestat e dhunshme.