Pandemia tkurri buxhetin, emigrantët varkë shpëtimi për familjet, sollën më shumë para

Pandemia ka ndikuar negativisht në llogaritë e shtetit shqiptar. Në raportin e Bankës së Shqipërisë thuhet se defiçiti u rrit me 1.8 për qind. Ndërsa kanë qenë emigrantët ata që kanë shpëtuar familjet, pasi në vitin 2020 kanë shtuar paratë që nisën drejt vendit mëmë.

Goditja që kanë marrë shërbimet dhe eksportet nga pandemia ka thelluar edhe më tej defiçitin mes shpenzimeve dhe të ardhurave të vendit.

Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se për tremujorin e katërt të vitit 2020, ky defiçit arriti në 351.9 milionë euro, në rritje me pothuajse 1.8% krahasuar me një vit më parë.

Ndërkohë që rezervat në bilancin e pagesave u reduktuan me rreth 142.7 milionë euro.

Banka argumenton se pakësimi është ndikuar edhe nga shlyerja e detyrimeve të Eurobondit që qeveria mori në vitin 2015 dhe që duhej mbyllur brenda vitit të shkuar.

Si pasojë e kufizimit të lëvizjeve për shkak të pandemisë janë pakësuar edhe të ardhurat që vijnë nga puna.

Prej më shumë se 1 viti qytetarët shqiptarë nuk janë lejuar të lëvizin në shumë prej shteteve të Europës, aty ku dhe angazhoheshin si punonjës sezonalë.

Paratë që emigrantët kanë nisur drejt familjeve të tyre kanë arritur të zbusin sado pak situatën.

Sipas raportit kjo tepricë arriti në 55.4 milionë euro me një rritje prej 29.2 milionë eurosh krahasuar me një vit më parë.

Ndryshe nga tremujori i tretë, rënia e eksporteve ka rezultuar më e moderuar në krahasim me importet duke pasqyruar një impakt negativ.

Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë në tremujorin e katërt të vitit 2020, huaja në ekonomi arrin në 296.5 milionë euro dhe krahasuar me një vit më parë ky nivel është 7.2% më i ulët.

EMISIONET