Panairi i makinave në Shqipëri, Bilali zbulon si lindi ideja 6 muaj më parë në SHBA dhe tregon avantazhet kundrejt Serbisë
Me 17 qershor hapi siparin edicioni i parë i panairit të makinave në Shqipëri.
Edona Bilali, miistre e Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes në një intervistë për Rtv Ora me gazetaren Besmira Pelushaj tha se kjo iniciativë mori udhë 6 muaj më parë kur ajo sëbashku me kryeministrin Rama zhvilluan një vizitë në sektorin e automotivit në SHBA.
Ministrja tha se Shqipëria numëron sot 12 kompani prodhuese pjesësh mjetesh, ku prodhohen pjesë për kompani me famë botërore si Mercedezi, Kia etj.
Bilali: Kjo është një iniciativë e ideuar nga kryeministri 6 muaj më parë ndërsa po bënim një vizitë për sektorin e automotivit në SHBA. Zhvilluam në këto 6 muaj një studim tregu për të studiuar potencialin që ka kjo industri dhe për të parë nëse mund të rrisim shanset për zgjerim. Bashkë me Drejtorinë e Përgjithshme të Transportit Rrugor vendosëm të bënim për herë të parë një panair që të ishte i organizuar fillimisht nga sektori publik dhe të ishte i dedikuar për një industri të caktuar si industria automotive. Eventi bëri bashkë të gjithë palët brenda sektorit automotiv, duke nisur nga prodhuesit. Shqipëria numëron sot 12 kompani prodhuese pjesësh mjetesh, prodhohen pjesë për kompani me famë botërore si Mercedezi, Kia etj. Duke vijuar me koncesionarët apo kompani që prodhojnë askesorë. Pjesë e panairit ishte dhe akademia dhe shkollat e mesme profesionale që janë burimi i parë njerëzor që furnizojnë këtë industri me burime njerëziore. Aktualisht vetëm sektori i prodhimit punëson më shumë se 13 mijë persona në Shqipëri. Investimet kanë ardhur kryesisht në 10 vjeçarin e fundit në vend. Synimi jonë është të bëjmë bashkë palët dhe të marketojmë këtë industri jashtë kufijve. Eventi ishte ndërkombëtar. Kishim 12 kompani nga Maqedonia e Veriut, 2 nga Kosova, përveçse shumë folës nga BE.
Bilali tregoi dhe avantazhet e Shqipërisë përballë vendeve të rajonit në thithjen e investitorëve të kësaj industrie.
Bilali: Serbia është disa hapa para në sektorin automotiv, ndërsa ne kemi disa avantazhe kundrejt saj me lehtësirat fiskale që ofrojmë për investitorët. Do na duhet dhe pak kohë për ta bërë këtë industri më tërheqëse.
Dhe duket se panairi i ka "korrur" frutet e para.
Bilali: Kemi liderin e tregut të industrisë gjermane që po hap stabilimentin e fundit nga katër që kishte në gjithë rajonin përfshirë Ukrainën. Tre stabilimente me kalimin e këtyre katër viteve që operon në Shqipëri i ka sjellë në Shqipëri dhe tani u mor vendimi të sjellë dhe të katërtin duke e dislokuar komplet pjesën e përpunimit vetëm në Shqipëri nga gjithë rajoni.
Vëmendja është dhe te Start-upet me dy ide shumë inovative.
Bilali: Te Start-upet kemi dy ide. I pari lidhet me mësimin e drejtimit të makinës virtualisht, një aplikacion që të mëson pa hipur domosdoshmërisht në makinë për të marrë patentën. Aplikacioni tjetër lidhet me sigurinë rrugore. Ne mendojmë se teknologjia është e ardhmja dhe në sektorin automotiv.
Panairi Automotive Fair Albania në Expocity do të jetë i hapur dhe nesër, 19 qershor.