Paketë Ligjore Antikorrupsion/ Dhoma Amerikane e Tregëtisë: Duhet reformim i prokurimeve publike
Një paketë antikorrupsion dhe antirryshfet ka propozuar Dhoma Amerikane e Tregëtisë që të kalohet në Kuvendin e Shqipërisë. Sipas kreut të kësaj Dhome, Enio Jaço, Shqipëria vijon të mbetet problem sa i përket parandalimit të pastrimit të parave të pisëta.
Dhoma Amerikane e Tregëtisë, në konferencën e saj të përvitshme, ka propozuar që Kuvendi të kalojë një paketë antikorrupsion dhe anti-rryshfet.
Enio Jaço: Kjo paketë ka për qëllim parandalimin e korrupsionit. Në një farë mënyre është komplomentare me organet ligjvënëse të cilat kanë karakter prapa veprues. Ne propozojmë miratimin e legjislacionit antirryshfet. Standartet më të mira globale këtu janë të vendosura nga OSBE.
Sipas tyre, nevojitet një reformim i sistemit të prokurimeve publike në vendin tonë.
Enio Jaço: Ne paramendojmë që duhet të ketë standarte në lidhje me lidhjet e përfituesve qoftë me njëri tjetrin qoftë me vendimmarrësit e tenderave publike, me performancën e kaluar të kontraktorëve publik dhe me eleminimin në maksimum të rasteve përjashtimore.
Kreu i Dhomës, Jaço, parashtroi edhe problematikat e ligjit për amnistinë fiskale.
Enio Jaço: Parimi kryesor ka të bëjë me hapsirën dhe mundësinë për pastrimin e parave dhe invazionin fiskal. Ky është problemi kryesor që kemi me ligjin e amnistisë fiskale.
Jaço njoftoi se në shtator do të mbahet konferenca e parë Rajonale për Teknologjinë Digjitale.
