"S'ka pajtim me Veliajn!" Basha në GJKKO për padinë për shpifje ndaj kryebashkiakut të Tiranës

Lulzim Basha refuzoi ofertën e gjykatës për pajtim me Erion Veliajn, duke kërkuar vazhdimin e procesit gjyqësor ndaj tij për akuzën e shpifjes. Kryetari i PD e ka paditur titullarin e bashkisë së Tiranës për akuzën e shpifjes në lidhje me deklaratat ku pretendon se Basha disponon disa shtëpi në Tiranë. Avokati i Bashës tha se ka kërkuar vazhdimin e procesit duke kërkuar që Veliaj të paraqesë provat, ose të ndëshkohet për shpifje të kryera publikisht me qëllim përfitimet politike.

Kryetari i PD-së, Lulzim Basha, u paraqit personalisht në seancën e parë të procesit gjyqësor që ka hapur për akuzën e shpifjes, ndaj kryetarit të bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.

Në dalje të gjykatës, kryedemokrati nuk bëri komente por tha për  Ora News se komunikimin në lidhje me seancën ia delegon avokatit.

"S'ka pajtim me Veliajn!" Basha në GJKKO për
Ne foto: Basha duke dale nga GJKKO pershendet gazetaren e Ora News, Keti Banushi

Avokati i kreut të opozitës bëri të ditur se në seancën e parë, gjykata u ofroi palëve mundësinë për ta zgjidhur çështjen me pajtim, por Basha ka refuzuar.

Indrit Sefa: Procesi gjyqësor ka të bëjë me kërkesën e zotit Basha në lidhje me kërkesën penale si viktimë akuzuese ndaj zotit Erion Veliaj në kuadër të kërkesave që kemi ngritur më përpara. U zhvillua seanca e parë, seanca e pajtimit,  ku zoti Basha erdhi vetë personalisht dhe deklaroi se nuk ka asnjë vullnet për tu pajtuar me të akuzuarin Erion Veliaj. U bë seanca gjyqësore, u morën deklarimet e palës që në mënyrë kategorike refuzoi pajtimin.

Seanca e radhës do të jetë në 24 shtator.

Procesi gjyqësor në Gjykatën e Posaçme Antikorrupsion filloi pasi Gjykata e Lartë përcaktoi institucionin kompetent për shqyrtimin e padisë së kryetarit të Partisë Demokratike.

Padia për shpifje ndaj Veliajt lidhet me deklaratat e tij publike ku pretendon se Lulzim Basha është bërë me katër shtëpi pas tërmetit të 26 nëntorit dhe se ka përfituar gjatë periudhës së fatkeqësisë duke ndërtuar pa leje në Tiranë.

Kryetari i PD-së thotë në padi se Erion Veliaj, si drejtues i fushatës zgjedhore të PS për qarkun e Tiranës, këto deklarime shpifëse i përdor për të përfituar kredo politike përballë qytetarëve.

EMISIONET