Osmani e Kurti homazhe në Prekaz: Përulemi para atyre që sakrifikuan për liri, pavarësi e bashkim

Osmani e Kurti homazhe në Prekaz: Përulemi para atyre që

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti zhvilluan homazhe në memorialin e familjes Jashari në Prekaz dhe tek varri i ish-presidentit Ibrahim Rugova me rastin e festës së 28 nëntorit. Bashkë me urimin për gjithë shqiptarët për festën e Flamurit dhe të Pavarësisë, krerët e shtetit të Kosovës shprehën nderim për sakrificën e UÇK-së e cila mundësoi çlirimin e vendit nga makineria ushtarake serbe.

Krerët më të lartë të shtetit të Kosovës përcollën urimet e tyre për 28 nëntorin, Festën e Flamurit.

Presidentja Vjosa Osmani zhvilloi një vizitë në Kompleksin Memorial në Prekaz në nderim të sakrifikës së familjes Jashari.

“Sot e filluam ditën tek komandati legjendar Adem Jashari dhe familja e tij për të nderuar sakrifikën. 28 nëntorit përpos simbolikës së pavarësisë është edhe datë kur ka lindur komandanti legjendar, kur ka dal UÇK-ja për herë të parë në skenë”.

Ajo uroi një të ardhme të ndritur për Kosovën dhe Shqipërinë.

“Dua që sot t’i uroj të gjithë shqiptarët për këtë ditë, duke shpresuar që një e ardhme e ndritur e pret edhe Republikën e Shqipërisë edhe Republikën e Kosovës”.

Më pas kryetarja e shtetit të Kosovës së bashku me kryeministrin Albin Kurti dhe pjesëtarë të tjerë të kabinetit qeveritar kanë bërë homazhe tek varri i ish-presidentit Ibrahim Rugova.

Pas vizitës në kompleksin Memorial në Prekaz, kryeministri Albin Kurti tha se kjo është një datë që lidhet me ngjarjet më të rëndësishme të historisë shqiptare.

“Është një datë themelore e identitetit kombëtar shqiptar, që lidhet me ngjarjet më të rëndësishme historike tonë, prej Skenderbeut në Krujë, te Ismail Qemali në Vlorë, te Adem Jashari në Prekaz, padyshim që është një ditë që na mbush më gëzim dhe krenari por edhe me përgjegjësi, detyrat para nesh për të ngritur mirëqenien e shqiptarëve dhe qytetarëve tanë, për të zhvilluar vendin tonë”.

Edhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka përcjellë urimin e tij për festën e 28 Nëntorit ndërkohë që Bekim Jashari pas homazheve në memorialin ku prehen trupat e dëshmorëve të familjes së tij e cilësoi nëntorin dhe festat kombëtare si moment të lavdisë dhe të sakrificës.

EMISIONET