“Databaza e pagave”, nën akuzë dy punonjës të AKSHI-t dhe dy shtetas privatë që nxorën të dhënat

Katër persona dërgohen në gjyq nga prokuroria e Tiranës me akuzën e nxjerrjes së databazës me të dhënat e detajuara të pagave të 650 mijë qytetarëve shqiptarë. Dy punonjës të AKSHI-t dhe dy persona privatë janë marrë të pandehur për këtë rast. Sipas dëshmisë së vetë punonjësve, të dhënat pasi janë marrë nga databaza shtetërore, u janë dhënë personave privatë, ndërkohë që përveç publikimit nuk është e qartë për çfarë janë përdorur.   

Gjashtë muaj pas skandalit të publikimit të dy databazave me pagat e 650 mijë qytetarëve shqiptarë në administratën shtetërore dhe atë private, prokuroria e Tiranës i ka dhënë fund hetimeve, duke marrë të pandehur 4 persona.

Eni Qirjako, specialiste IT e Agjencisë Kombëtare të Shërbimit të informacionit (AKSHI) dhe Andi Agaraj, specialist IT pranë këtij institucioni, akuzohen nga prokuroria për “Shpërdorim detyre” dhe “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.

Dy të proceduarit e tjerë, Klodian Sota, punonjës menaxher pranë kompanisë "Smart Collection" dhe Endri Ikonomi, që punonte si drejtor i Përgjithshëm në kompaninë “Credit 2 ALL”, akuzohen për "Korrupsion aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike".

Hetimet e Prokurorisë, vijojnë për sa i përket zbulimit të autorëve të nxjerrjes së të dhënave të targave të mbi 530.452 automjeteve të qytetarëve privat dhe për 61.513 biznese, banka, ambasada etj.

Sipas hetimeve, të dhënat janë nxjerrë nga databaza e “Sistemit Cats”, në drejtorinë e  Tatimeve në Tiranë.

Në dosje thuhet se pas nxjerrjes së të dhënave në publik në 22 dhjetor 2021, ka qënë vetë specialistja e IT, Eni Qirjako, që ka vënë në dijeni të shpërndarjes së pagave drejtorin e saj Ervin Muça, duke e informuar se useri i krijuar me emrin “Moza Seraj”, përdorej prej saj.

Qirjako, ka konstatuar se data dhe ora e krijimit të file-ve të shpërndara masivisht në aplikacionin “whatsapp”, përkonte me të dhënat që i ka dërguar me programin wetransfer, kolegut Andi Agarajt.

Hetimi ka provuar se Agaraj, këto të dhëna ia ka transferuar, Klodian Sotës, menaxher në kompaninë “Smart Collection”.

Këtë shërbim punonjësi i AKSHI-t e ka kryer kundrejt vlerës 20 mijë lekë të reja, sa herë që ai i ka dhënë të dhënat e kërkuara.

Andi Agaraj, tha para hetuesve se databazën me 650 mijë rrogat e punonjësve shqiptarë e shkarkonte fillimisht në kompjuterin e tij dhe më pas e kopjonte në CD, duke ja dërguar dorazi në periudha të ndryshme kohore Klodian Zotos dhe Endri Ikonomit.

EMISIONET