Opozita vijon denoncimet për incineratorët, 25 dosje në SPAK

Partia e Lirisë ka dorëzuar në SPAK mbi 25 dosje në dy kuti plastike në të cilat sipas Monika Kryemadhit gjenden dokumentet për aferën e incineratorëve

Përmes një statusi në facebook ajo i shprehet se materiali është dorëzuar disa javë më parë, ndaj kërkon nga Prokuroria e Posaçme të nisë hetimet.

Sipas dokumentave zyrtare, Kryemadhi flet për vlerën e 30 milionë dollarëve që rrjedhin si evazion fiskal vetëm nga skema e incineratorëve dhe 189 milionë dollarë të tjera me skema të ngjashme. E për këtë ajo bën përgjegjës Edi Ramën dhe Erion Veliaj.

"Çdo ditë që kalon, paratë që mund të shkonin për rritje pagash dhe pensionesh, shkojnë për llogari të zyrtarëve të qeverisë, përmes skemës së inceneratorëve. Çdo ditë që kalon pa veprimin e drejtësisë, shteti i kapur furnizon korrupsionin e inceneratorëve, me paratë e gjakut të shqiptarëve. E përmes kësaj vjedhje të përditshme, pushteti tenton të korruptojë, manipulojë e kontrollojë edhe çdo qelizë tjetër në vend, që të vijojë i pashqetësuar vjedhjen.

Këto në foto janë dosjet e dërguara në SPAK përpara disa javësh, ku faktohet me të dhëna nga dokumente zyrtare, se vetëm evazioni fiskal i skemës së incineratorëve kap vlerën 30 milionë dollarë, ndërsa me skema të ngjashme si inceneratorët, llogaritet një evazion fiskal 189 milionë dollarë"

Vonesa sipas saj po i shërben të akuzuarve të korruptojë dhe manipulojë çdo qelisë në vend

Në të njëjtën linjë, deputeti demokrat Belind Këlliçi ka theksuar se pavarësisht denoncimeve në Tiranë ende nuk ka një incinerator edhe pse kompania merr paratë

"Ku është? Kush e ka parë? Si duket? Na e tregoni si duket një incenerator.

Nuk mundeni sepse nuk ekziston. Mbetjet e Tiranës futen në landfillin e Sharrës. Aty ku janë futur edhe më parë. I vetmi ndryshim është se fatura shqiptarëve u shkon për incenerim.

Qytetarët e Tiranës sot paguajnë 80 mijë dollarë në ditë, për pastrimin e qytetit dhe incenerimin e mbetjeve, proces i cili nuk ndodh"

Deri më tani SPAK ka mundur të mbyllë dosjen e Dierit dhe të Elbasanit, ndërsa nuk ka asnjë të dhënë se çfarë po ndodh me landfillin në kryeqytet.

Opozita vijon denoncimet për incineratorët, 25 dosje në SPAK

EMISIONET