Sërish kokainë në banane/ Sekuestrohen 6,5 kg lëndë narkotike në një kontejner në Portin e Durrësit

Një tjetër sasi kokaine është sekuestruar pasditen e sotme në Portin e Durrësit.

Policia bën me dije se në vazhdimin e operacionit “Rada” janë sekuestruar  6,5 kilogramë kokainë. Mësohet se lënda narkotike është gjetur në kontejnerët e firmës ‘Alba Exotic Fruit’, pas një kontrolli të imtësishëm të 10 kontejnerëve të kësaj kompanie.

"Alba Exotic fruit" është kompania që kishte porositur sasinë e bananeve nga Ekuadori, në kontejnerin e së cilës u gjet 11 kg e 650 gram kokainë 10 ditë më parë. 

“Në vijim të operacionit "Rada" pasditen e sotme, nga Task Forca permanente që vepron në Portin e Durrësit është ushtruar kontroll i imtësishëm në 10 kontenierë për llogari të kësaj kompanie, ku si rezultat i kontrollit të imtësishëm, në një nga kontenierët u gjetën dhe u sekuestruan 6.5 kilogramë lëndë narkotike e dyshuar kokainë.”- njofton policia.

Task Forca permanente që operon në Portin e Durrësit vijon veprimet hetimore, nën drejtimin e një grupi të posaçëm prokurorësh të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës dhe të SPAK-ut.

Më 13 Korrik, në portin e Durrësit u sekuestruar 11 kilogramë e 675 gr, kokainë e cila ishte fshehur në kontejnerin e bananeve që vinte nga Ekuadori, në pronësi të kompanisë  ‘Alba Exotic Fruit’.

Barjon Gumeni, menaxheri i kompanisë "Alba Exotic Fruit", në kushtet e flagrancës nga policia e Durrësit pasi u paraqit në port për të tërhequr kontejnerin, brenda të cilit më herët skaneri kishte provuar se ishte fshehur droga. 

Pas veprimeve të para, Policia e Durrësit ka shpallur në kërkim edhe administratori i firmës, "Alba Exotic Fruit" Eduart Dauti 50 vjeç, banues në Tiranë.

Ky i fundit, i kontaktuar para se ti pritej urdhër arresti, tha se prej ditësh ndodhet në Francë, ndërsa jo vetëm mohoi përfshirjen e kompanisë së tij në trafikun e kokainës, por akuzoi se kishtë rënë viktimë e trafikantëve.

Kompania  'Alba Exotic Fruit' rezulton e përmendur edhe më parë në 'histori' me trafik droge. Në vitin 2017 në portin e Pireut kësaj kompanie ju sekuestrua në kontejner sasia prej 137 kilogram kokainë.

EMISIONET