Nuredin Dumani: I kërkova Behar Bajrit 1.5 mln euro për eliminimin e Dulit dhe Tafilit, me Bajrat kam komunikuar përmes Arlind Bushatit
Dosja “Metamorfoza” përmban një seri komunikimesh tronditëse që zhvillohen mes emrave të njohur të botës së krimit të organizuar në Shqipëri.
Mes protagonistë në këtë dosje, nuk kishte se si të mungonte dhe vrasësi me pagesë Nuredin Dumani, i cili shfaqet në dhjetëra komunikime me Behar Bajrin dhe kushëririn e tij, Bardhyl Mavraj.
Bëhet fjalë për pazare për vrasje që kapin shifra astronomike, tregti kokaine, vjedhje pronash, hetime të mbyllura, influenca me faktorët kryesorë të politikës shqiptare, bixhoz e shumë punë të tjera të botës së erret të krimit, që dalin në këtë dosje, që padyshim nuk mungon as protagonizmi dhe dëshmia e Nuredin Dumanit.
Vetëm për vrasjen e Dorjan Dulit dhe Genc Tafilajt, Dumani i ka kërkuar Behar Bajrit, një shifër prej më shumë se 1 milion euro, shumë kjo që ka çorientuar totalisht Bajrin.
Ndërkaq Dumani në dëshminë e tij thotë se njeriu që e ka lidhur me Bajrat është Arlind Bushati, i cili ishte një ndër viktimat e asaj që njihet si masakra e Dobraçit që mbeti i vrarë në makinë së bashku me Hamza Licin, pjesë e armiqësisë së kamotshme mes dy familjeve në Shkodër.
Këto komunikime i ka dëshmuar vetë protagonisti kryesor, Nuredin Dumani në seancën e sotme gjyqësore.
Nuredin Dumani: Elton Basha është një mik i imi dhe është nga Burreli. Rrinte në Durrës dhe kam 15 vite që e njoh. Në telefon e kam pas regjistruar me emrin “Bisha”.
Me Behar Bajrin kam komunikuar nëpërmjet Elton Bashës dhe nëpërmjet Arlind Bushatit. Çova Eltonin me një djalë tjetër në takim me Bajrat, këta të fundit shkojnë 10 veta me armë. Behar Bajri më kërkoi për të bërë goditje për Dorjan Dulin dhe Genc Tafilin dhe i kam thënë mbi 1 milion e gjysmë euro.
Ramë dakord për këtë marrëveshje, nuk morën asnjë lloj iniciative.
Behar Bajrit i kam kërkuar Talo Çelën. Kishte thashetheme që Talo Çela rrinte te Suel Çela, por jo gjëra të vërteta. Me Behar Bajrin kam komuniku me “Sky Ecc”.