Peshqit e mëdhenj?! Kim: Jam diplomate, s'jam peshkatare as prokurore

Ambasadorja e SHBA-ve në vendin tonë Yuri Kim deklaron se reforma në drejtësi po çohet përpara më ngadalë se çfarë do të donim. Sa i përket mungesës së rezultateve në luftën ndaj atyre që cilësohen si “peshqit e mëdhenj”, diplomatja amerikane u shpreh se nuk është as prokurore dhe as peshkatare, duke inkurajuar institucionet e reja të bëjnë detyrën.

Ato që nuk i tha në tryezën e 5 vjetorit të reformës në drejtësi, ambasadorja amerikane në vendin tonë Yuri Kim do t’i thoshte këtë të diel nga Pusteci.

Për Kim, reforma në drejtësi po ecën me ritme shumë të ngadalta, më të ngadalta se pritshmëritë që kishin ndërkombëtarët, por ajo inkurajoi që kjo reformë të mos ndalet. Ndërsa u ka bërë thirrje institucioneve të drejtësisë të mos heqin dorë por të vazhdojnë përpara me reformat.

 “Unë mendoj që reforma në drejtësi po çohet përpara, ngadalë, më ngadalë se çfarë do të donim, por është padyshim një shtysë përpara, njerëzit duhet të vazhdojnë të jenë të pakënaqur, duhet të jenë më tepër kërkues me qeveritaret e tyre, njerëzit që ata kanë zgjedhur dhe duhet të vazhdojnë përpara. Tani është koha që të vazhdojmë përpara. Mos u dorëzoni. Disa njerëz thonë që reforma në drejtësi është asgjë, duhet të dorëzohemi, por jo, po ju gënjejnë, mos hiqni dorë”

 

E pyetur lidhur me “peshqit e mëdhenj” që po i  mungojnë rrjetës së drejtësisë së re, ambasadorja Kim u shpreh se nuk është as prokurore, dhe as peshkatare, duke ia faturuar këtë betejë institucioneve përgjegjëse.

 “Unë jam diplomate. Unë nuk jam një persekutore, nuk jam një peshkatare, nuk jam gjyqtare, unë jam thjesht një diplomate. Institucionet kanë përgjegjësinë e tyre, ata e dinë se cilat janë përgjegjësitë e tyre, unë mendoj që ata po nisin ti përmbushin ato. Le të mbështesim ata”

Ambasadorja e SHBA-së në Tiranë ishte të dielën në Pustec ku mori pjesë në aktivitetin “MIK FESTIVAL”

EMISIONET