Kujdes me diellin! Këshillat për të shmangur infeksionet në pishina

Me rritjen e temperaturave, shtohen infeksionet bakteriale dhe djegia e lëkurës si pasojë e ekspozimit në diell.

Erjona Shehu, dermatologe thotë se është e nevojshme të tregohet kujdes nga frekuentuesit që nga qëndrimi në shezlon  apo kontakti me ujin e pishinave.

"Sidomos infeksionet bakteriale të cilat mund të vijnë nga frekuentimi i pishinës, që në fund të ditës rezultojnë me daljen e disa elementëve në lëkurë që janë të kuq, të ngritur mbi nivelin e lëkurës dhe në fund fare mund të përfundojnë me një pikë të bardhë," tha dermatologia.

Specialistët e shohin si rrezikshmëri edhe përdorimin e kremrave nga shitësit ambulantë e ndaj propozojnë blerjen e tyre në farmaci.

"Padashur që të dëmtoj njerëzit që mbijetojnë falë kësaj pune, por bëhet në temperatura shumë të nxehta,e kalon temperaturën 25 gradë celcius që është edhe temperatura e denatyrimit të një produkti kimik dhe për pasojë produkti në vetvete nuk e realizon mbrojtjen," tha Shehu.

Domosdoshmëri për mjeken është që aktorët që funksionojnë  në mirëmbajtjen e këtyre ambienteve të ndërveprojnë e të rritet ndërgjegjja personale.

"Çfarë do donim ne të merrnim nga një ambient, çfarë nuk do donim ne të na rrezikonin bashkë-përdoruesit e këtij ambienti, të njëjtën gjë do duhet të bëjmë edhe ne për  të tjerët," tha Shehu.

Mjekët, për higjienë, rekomandojnë dush përpara futjes në pishinë, sidomos për fëmijët.

"Shumë e rëndësishme është edhe prezenca e një dushi që do jetë aty për aplikimin ën masë nga përdoruesit e pishinës. Nëse merren fëmijë të vegjël brenda në pishinë, dhe fëmija është mbajtës i pampersit, duhet të hiqet pelena, të shpëlahet fëmija dhe pastaj të futet në pishinë, duke qenë se frekuentohet nga të gjitha moshat," u shpreh mjekja.

Këshillohet gjithashtu  ruajtja nga dielli, sidomos në oraret 10.30-16.30, atëherë ku arrihet piku nga temperaturat e larta.

EMISIONET