Nis regjistrimi i emigrantëve/ Meta: Platforma, një zgjedhje e mirë për votim. Mbetet për t'u parë si do të vijojë

Nga 11 janari deri në 4 mars çdo qytetar shqiptar që jeton jashtë vendit ka të drejtë të regjistrohet për të marrë pjesë në zgjedhjet parlamentare të 11 majit.

Mesnatën e kësaj të shtune, në orën 00:12 minuta të 11 janarit, një emigrant në Gjermani u bë i pari që aplikoi në KQZ për të votuar nga jashtë vendit.

Gjatë 12 orëve të para të hapjes së regjistrimit, aplikuan mbi 700 persona, ku dominonin 80% burra dhe moshat kryesisht të reja. Vetëm 80 persona ishin mbi 56 vjeç.

Për të folur për këtë temë, e ftuar në studion e lajmeve në "Ora News", nëpërmjet një lidhje të drejtpërdrejtë në "Skype", ishte ekspertja për çështjet zgjedhore, Gerta Meta.

"Në lidhje me mënyrën sesi do të procedohet dhe sesi do të administrohet vota e gjithë shtetasve shqiptarë jashtë territorit të Shqipërisë, ne na vjen me një lajm të mirë, të paktën nga artikulimet që ka bërë vetë kryekomisioneri Celibashi, në lidhje me garancitë që i jep platforma e ofruar për regjistrimin e të gjithë shqiptarëve që jetojnë jashtë territorit.

Është një eksperiencë për herë të parë dhe natyrisht që pritshmëritë dhe pikëpyetjet janë shumë të mëdha, në lidhje me mënyrën sesi do të vijojë procesi. Le ta shikojmë pozitivisht. Sot është dita e parë zyrtare kur është shpallur edhe ligjërisht regjistrimi zyrtar i gjithë shtetasve të cilët do të shprehin vullnetin dhe dëshirën e tyre, bazuar në kërkesën e tyre, për t'u regjistruar në këtë platformë, e cila ka dhe garancitë e veta. Ajo që mbetet për t'u parë rrugës është sesa shqiptarë dhe sa maksimale do të jetë dëshira për t'u regjistruar në regjistrin e zgjedhësve jashtë territorit të Shqipërisë dhe pasi të krijohet ky regjistër ne do të shikojmë pastaj se potencialisht sa do të votojnë ditën e zgjedhjeve, më 11 maj", u shprh Meta.

EMISIONET