Nis acari i madh/ Akull e ngrica në rrugë. Malësitë të bllokuara e pa energji

Me temperaturat që zbritën deri në minus 16 gradë, i gjithë vendi është nën ndikimin e të ftohtit polar! Reshjet e dëborës ja kanë lënë vendin ngricave dhe akullit që krijon vështirësi në rrugë! Fshatra të thellë janë të bllokuar dhe pa energji prej tre ditësh.

Në Dibër, temperaturat gjatë natës zbritën deri në 16 gradë nën zero.

Ngricat dhe akulli që pasuan i shtuan vështirësitë.

Fshatrat e thella të Lurës, Selishtës, Kalasë së Dodës, Sllovës e Zall Reçit e Gollobordës janë të bllokuara dhe prej tre ditësh. Një pjesë pa energji elektrike për shkak të dëmtimit të rrjetit shpërndarës. Në Lurë trashësia e dëborës raportohet deri në 50 cm dhe rruga nga Rrësheni është i vetmi aks nga ku mund të lëvizet.

Aksi Peshkopi – Tiranë kalohet pa probleme, por duhet të tregohet kujdes në baypasin e Murrizit gjatë natës dhe në orët e para të mëngjesit.

Peshkopi – Kala e Dodës – Kukës, kalohet me zinxhirë nga Ura e Veleshicës drejt Vasies. Aksi Peshkopi – Draj Reç – Kukës, kalohet pjesërisht me zinxhirë.

Deri në -12 gradë zbritën temperaturat në juglindje.

Në rrugët e Pogradecit, Korcës e bashkive të tjera mbizotëron akulli

Akset Korçë-Erseke -Leskovik. Korçe -Voskopoje. Ķorçë– Dardhë janë të kalueshme pa probleme.

Ndërsa drejt fshatrave të thella ku ka probleme edhe me energjinë lëvizet vetëm me zinxhirë.

Si rrallë herë, dëbora zbriti mbrëmjen e së shtunës edhe në Fier e Vlorë, por zgjati vetëm pak minuta.

Dëbora rezistoi në Llogara pikë turistike drejt të cilës udhëtohet pa problem dhe që u kthye në destinacion fundjave.

Reshjet e dëborës dhe temperaturat nën zero kanë përfshirë edhe qarkun e Elbasanit, ku në zonat e thella ka vështirësi në lëvizje dhe probleme me energjinë.

Edhe zonat malore të qarkut Shkodër janë përfshirë nga reshjet e dëborës.

Në një kontrast nga vitet e shkuara ky është dimri i parë që këto zona nuk janë të bllokuara.

Drejt Thethit, Razmës dhe Vermoshit mund të udhëtosh pa probleme, por këshillohet përdorimi gomave dimërore dhe zinxhirëve për shkak se ka ngrica në segmente të caktuara. 

EMISIONET