Ngjarje e rëndë në Kavajë/ 4 turistë rusë gjenden të vdekur në saunën e një hoteli

Katër shtetas rusë, që kishin ardhur në Shqipëri për turizëm janë gjetur të vdekur në ambientet e saunës të një resorti në Qerret të Kavajës. 

Turistët, 2 burra e dy gra të moshës, 31, 37, 58 dhe 60 vjeç janë gjetur të asfiksuar brenda saunës të resortit “Gloria Palace”, në Qerret të Kavajës, rreth orës 22:00 të 15 tetorit 2021. 

Viktimat mendohet se kanë lidhje familjare me njëri tjetrin.

Viktimat janë identifikuar si
Natalia Burenkova, 58 vjeçe,
Sergei Burenkova, 60 vjeç,
Nikita Belousov, 37 vjeç
Ekaterina Burenkova, 31 vjeçe.

Në një njoftim paraprak për media, policia ka deklaruar se dyshohet qe vdekja e rusëve ka ardhur për shkak të asfiksisë, ndërsa mbeten mister të tjera detaje na kjo ngjarje e rëndë.

"Rreth orës 22:20, në Qerret, Kavaje,në ambientet e saunës të një hoteli, dyshohet se janë asfiksuar dhe për pasojë kanë ndërruar jetë shtetasit Rus, K. S, 31 vjeçe, N. L, 58 vjeç, N. A, 37 vjeçe dhe S. A, 60 vjeç. Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë ndodhet në vendngjarje dhe po punojnë për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes."

Recepsionisti i konstatoi i pari

Ka qenë recepsionisti i hotelit i cili ka konstatuar i pari trupat e pajetë mbrenda saunës, dhe menjëherë janë lajmëruar autoritetet.

Policia po merr në pyetje turistët e tjerë rusë që ndodhen në hotel dhe personelin për të mësuar mës shumë për rrethanat e ngjarjes.

Nga burimet jo zyrtare thuhet se të 4 personat mund të kenë qëndruar në Sauna më shume se sa lejohet, ndërsa ekspertiza mjeko ligjore do të tregojë nëse ata kishin konsumaur alkool ose lëndë narkotike te cilat mund të kenë ndikuar në asfiksinë.

Grupi hetimor ka marrë informacion nga turistët rusë qe ishin në grupin e viktimave për të bërë të mundur saktësimin e orës që 4 familjaret mund të jenë futur në saunë.

Ambasada ruse është njoftuar për ngjarjen e rëndë të ndodhur sot në mbrëmje në një hotel në Qerret të Kavajës.

EMISIONET