Nga 30 qershori bashkëpunim në gjyqësor Shqipëri-Kosovë, licenca e avokatëve do të njihet në të dyja vendet
Shqipëria dhe Kosova kanë arritur një marrëveshje në fushën e drejtësisë ku do të ketë një bashkëpunim gjyqësor në disa fusha.
Një gjë të tillë e bëri me dije ministri shqiptar i Drejtësisë, Ulsi Manja gjatë mbledhjes së dy qeverive në Kosovë.
Ai tha se bashkëpunimin do ta shtrijmë më tej, deri në njohjen e licencave të avokatëve dhe jurisprudencës dhe po ashtu edhe dënimet alternative në të dyja vendet.
Manja: Bashkëpunimi mes dy ministrive tona nuk ka asnjë pengesë njerëzore dhe ligjore. Ka një bashkëpunim të shkëlqyer. Ne mbledhjen e fundit të dy qeverive, u dakordësuam që bashkëpunimin gjyqësor ta shtrimë në fushën civile. Sot kemi një marrëveshje civile dhe tregtare që është miratuar dhe futet në fuqi në 30 qershor 2022, për zgjidhjen e çështjeve civile, tregtare dhe të tjera.
Bashkëpunimin do ta shtrijmë më tej, deri në njohjen e licencave të avokatëve dhe jurisprudencës. Po ashtu edhe dënimet alternative në të dyja vendet. Do të ngremë një grup pune që do të adresojë këto marrëveshje në të ardhmen.
Një gjë të tillë e përforcoi edhe ministrja e Kosovës, Albulena Haxhiu, duke thënë se kjo do të bëjë që avokatët të shtrinë aktivitetin e tyre në të dyja vendet.
Haxhiu: Kemi ndërmarrë tri nisma; për lejimin e ushtrimit të detyrës së avokatëve dhe ndërmjetësuesve, po ashtu edhe njohja e provimit të jurisprudencës. Kjo do të bëjë që avokatët të shtrinë aktivitetin e tyre në të dyja vendet dhe të merret shërbimi i nevojshëm.