Nesër seanca maratonë për qeverinë Rama 3 dhe programin, Balla: 10 minuta kohë për çdo deputet

Kuvendi i Shqipërisë do të zhvillojë nesër një seancë maratonë ku  ku pritet prezantimi i programit politik dhe përbërjes së kabinetit qeveritar "Rama 3", e cila do të votohet në fund të seancës.

Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, duke folur pas mbledhjes së Konferencës së Kryetarëve  tha se seanca është konceptuar në tre pjesë dhe çdo deputet do të  ketë 10 minuta kohë në dispozicion.

Balla: Ramë dakord që kjo seancë do të përbëhet nga tre pjesë, pjesa e parë është prezantimi i programit të qeverisë dhe përbërjes së Këshillit të Ministrave nga kryeministri. Në fund të kësaj faze merren të gjitha pyetjet. Qeveria, kryeministri dhe anëtarët e Këshillit të Ministrave marrin kohën e arsyeshme për të përgatitur përgjigjet ndaj pyetjeve dhe pastaj hapet debati, një fazë e tretë që kulmon me momentin e votimit që është një votim i vetëm qoftë për përbërjen e Këshillit të Ministrave, qoftë dhe për programin qeverisës 2021-2025. Kemi pranuar kërkesën e grupeve parlamentare të opozitës sepse unë kam kërkuar në fillim të vendosim një kohë që lidhet dhe me një nevojë të arsyeshme që edhe Kuvendi i Shqipërisë të përshtasë veprimtarinë e vet me nevojën që na imponon dhe domosdoshmërinë që na imponon qasja që duhet të kemi ndaj pandemisë Covid 19. Kjo nuk është pranuar nga kryetarët e grupeve parlamentare të opozitës dhe nga përfaqësuesit e tjerë të opozitës që kanë kërkuar ti referohemi nenit 48 të rregullores që përcakton që çdo deputet ka të drejtë të flasë jo më shumë se 10 minuta.

EMISIONET