"Nëse duan ta marrin tokën, të na vrasin më parë", banorët në Baldushk kundërshtojnë projektin e bashkisë

Banorët në fshatin "Mustafakoç" të njësisë administrative Baldushk, u mblodhën këtë të enjte, 24 qershor në një protestë kundër bashkisë .

Për te disatën herë ata kërkuan pezullimin e projektit për rindërtim në truallin që e kanë përdorur që pas viteve 90 e për të cilin tani janë në proces gjyqësor.

"Nuk jemi banorë të ardhur, jemi banorë ka shumë vite."

Sipas banorëve, Bashkia e Tiranës e ka ndryshuar vit pas viti planin e punimeve ne këtë zonë, ndërsa janë të paqartë se çfarë do të ndërtohet aty.

"Të vijë të sqarojë popullin, jo paradite vënë një tabelë, pasdite vijnë venë një tjetër."

"Këta kanë ndryshuar mbi 10 projekte deri tani."

"Të presin gjyqin e Apelit, të shprehet gjyqi sepse gjyqi na i ka njohur si pronë neve."

Thonë se ndërhyrja po rrezikon dhe varrezat e fshatit.

"Edhe të vdekurit nuk i  lanë rehat."

Në mbështetje të tyre ishte dhe ish deputetja demokrate Oriola Pampuri.

"Në një vend demokratik prioritet kanë pronarët, prioritet ka prona private. I kam ndjekur gjatë gjithë kohës, por me mendimin që do të pushonin së punuari për aq kohë sa është në proces gjyqësor. Nuk pushuan së punuari, atëherë unë do të jem në krah të banorëve për sa kohë që punimet vazhdojnë," tha Pampuri.

"Kanë sjellë policinë me dhunë na kanë marrë përpara si bagëti, jo si njerëz. Ne kërkojmë që të na lërë shteti rehat në tokën tonë. Gjyqi na i ka njohur si pronë ne," thotë një banor.

"Nëse duan ta marrin këtë pjesë toke le të na vrasin ne të gjithëve dhe pastaj ta marrin," thotë banorja. 

Sipas një vendimi të këshillit te ministrave, në zonë pritet të ndërtohen banesa publike për të pastrehët e tërmetit të 26 nëntorit, por banorët kanë një thirrje për shtetin.

"Kërkojmë që të na lejë rehat shteti në tokën tonë."

 

EMISIONET