“Në urban, bare e qendra tregtare me green pass”, lehtësira për ata që kanë marrë dozat anti-covid

Ekspertët e shëndetësisë pritet të detyrojnë bizneset private që të mos pranojnë punonjës pa pasaportë vaksinimi. Ajo do të aplikohet dhe në shërbimet publike.

Pasaporta e vaksinimit pritet të aplikohet në biznese private dhe në shërbime publike, si urbanët, teatro apo kinema. 

Krahas shtrëngimeve për të pavaksinuarit do të ketë edhe lehtësira ndaj masave anticovid  për ata që i kanë marre dozat.

“Po shikohet aplikimi i pasaportës së gjelbër, sikurse bëhet fjalë për urbanët, autobusët dhe për qendrat tregtare. Ata që janë të vaksinuar ose e kanë kaluar virusin, absolutisht që do të kenë lehtësira," tha Ulqinaku.

Nëndrejtori i ISHP Dritan Ulqinaku raporton edhe për situatën e pandemisë në Shqipëri, duke thënë se moshat më të prekura janë 40-50 vjeç.

“Vazhdon të dominojë mosha 40-50 vjeç që janë më të prekur," tha Ulqinaku.

Ndërsa për shifrat e fëmijëve situata është e njëjtë. Sipas tij ka vetëm më shumë panik për shkak të pranisë në shkolla. 

“Duke filluar shkolla dhe alarmi që bëhet në shkolla për fëmijët e prekur me Covid dhe simptomat e ngjashme bën që të elektrizohet atmosfera me të drejtë," tha Ulqinaku.

Për përfaqësuesit e shëndetit  publik, vaksinimi i fëmijëve me dozën e tretë, por edhe ai i  fëmijëve po shkojnë me ritme të kënaqshme, ndërkohë prej javësh tashme, në 24 orë kryhen rreth 6000 injektime.

EMISIONET